Plani i ri Urbanistik, Tramvaji në vend të Trenit
Mblidhet grupi strategjik për hartimin e Planit Urbanistik. Stacioni i Trenit do të zhvendoset te Kthesa e Kamzës, ku do të ndërtohet edhe terminali i ri i autobusëve që do të lidhë të gjitha rrethet e vendit me përjashtim të lindjes
Stacioni aktual i Trenit do të zhvendoset pranë vendit të quajtur si Kthesa e Kamzës, ndërsa në vend të tij do të vendoset Tramvaji. Më konkretisht, vendi ku do të ndërtohet stacioni i ri i Trenit, stacioni i autobusëve interurbanë të të gjitha drejtimeve, me përjashtim të lindjes, është një sipërfaqe prej 80 mijë metrash katrorë që i përket zonës së Kasharit. Linja e Tramit, që do të përshkojë distancën nga Lapraka deri në sheshin “Nënë Tereza”, pritet të zgjidhë ndjeshëm problemin e transportit publik në kryeqytet. Po kështu, është parashikuar që në zonën e Laprakës, veç terminalit të ri të Trenit, të jetë edhe ai i autobusëve urbanë dhe interurbanë. Falë kësaj ndërhyrjeje, prej zonës së Laprakës do të nisë edhe projekti i njërit prej linjave të Tramit, Laprakë-sheshi “Nënë Tereza”, që do të bashkojë perëndimin, veriun, jugun dhe drejtimet e ndërmjetme. Sipas Planit të ri Urbanistik të Tiranës, brenda në kryeqytet të vetmet stacione do të jenë ato për 2 tramvajet, një nga Stacion i Trenit-sheshi “Nënë Tereza” dhe një nga Kombinat-Kinostudio. Ekspertët duhet të kenë përfunduar Planin e ri Urbanistik të Tiranës në maj të 2012-ës. Ndërkohë që ndërhyrjet në infrastrukturë, si ndërtimi i Unazës së Madhe në hyrje të Tiranës dhe në anën tjetër zgjatimet e bulevardeve, do t’i nënshtrohen një konkursi për 7 kompani konkurruese. Nën drejtimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, është zhvilluar dje mbledhja e radhës e grupit strategjik për hartimin e Planit Urbanistik, ku kanë dalë edhe disa nga detajet e shtrirjes së tij. Për t’i paraprirë mundësisë së kundërshtimit të prishjes së objekteve të komunizmit në përgjithësi, Basha argumentoi vendimin e tij me mungesën e eficencës ekonomike të hekurudhës së Tiranës. “Prandaj flas për një terminal multimodal në zonën që përmenda, atje ku kemi një hapësirë rreth 80 mijë metra katrorë në formë trapezoide, në zonën që njihet si Pallatet e Malajzianit. Atje do të shërbehet Treni, që në këtë koncept do të ketë atje stacionin e fundit, për të shkarkuar më pas pasagjerët te Trami, që do të jetë pika hyrëse në Tiranë. Autobusët interurbanë të veriut, jugut dhe perëndimit do të përqendrohen gjithashtu në këtë pikë, së bashku me autobusët e qytetit, që do të shërbejnë qytetarët e kryeqytetit”, - shpjegoi Basha. Plani i ri Urbanistik do të ndërtohet në vitin 2012, por në muajin janar grupi strategjik i hartimit të tij do të nisë diskutimet publike me qytetarët, për të marrë edhe mendimet e tyre rreth zhvillimeve infrastrukturore të Tiranës.
Komunat bien dakord për zgjerimin e planit në territoret e tyre
Komunat përreth Tiranës kanë rënë dakord që Plani i ri Urbanistik të shtrihet edhe në territoret e tyre administrative, duke e lejuar kështu Bashkinë e Tiranës që t’i vijojë punimet e parashikuara edhe përtej vijës së verdhë. Në këtë mbledhje të grupit strategjik ishin të pranishëm edhe kryetarët e bashkive dhe komunave përreth Tiranës, të cilët kanë mirëpritur propozimin e grupit strategjik, që studimi dhe Plani Rregullues të shtrihen përtej kufijve administrativë të kryeqytetit. Që në nisje të mbledhjes së grupit strategjik është nënshkruar protokolli i bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës, Bashkisë Kamëz, Komunës Paskuqan, Komunës Dajt, Komunës Farkë, Komunës Kashar, Komunës Vaqarr dhe në prani të Këshillit të Qarkut Tiranë. Ky protokoll bashkëpunimi parashikon që plani strategjik dhe rregullues i zhvillimit urban të Tiranës të shtrihet edhe në pjesë të konsiderueshme të territoreve të njësive vendore që kufizojnë kryeqytetin.