E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet, Panariti: Aplikoni oferta për festat

Autoritetet e Bashkisë së Tiranës u bëjnë apel bizneseve që të aplikojnë edhe politikat e ofertave në rast festash, ashtu si në vendet e tjera të Bashkimit Europian. Prej datës 12 dhjetor, Task-Forca e Bashkisë së Tiranës po vazhdon intensivisht monitorimin e tregjeve, për të parandaluar rritjen abuzive të çmimeve në prag të festimeve të fundvitit. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti, tha se ka një ndërgjegjësim të tregtarëve për të afishuar çmimet, sikundër vazhdon qëndrueshmëria e çmimeve në treg.

I pranishëm në tregun te sheshi “Avni Rustemi”, Panariti u bëri thirrje tregtarëve që të bëjnë oferta me rastin e festave, pasi nga ana e saj bashkia do t’i promovojë bizneset e tyre. “Ne nuk kërkojmë ulje, nuk jemi ne që përcaktojmë, ne bëjmë një apel dhe është një gjest fisnikërie që bizneset duhet të tregojnë ndaj konsumatorit, sepse kjo është, në fund të fundit, në leverdi të tyre, krijon një marrëdhënie besueshmërie, qëndrueshmëri me konsumatorin dhe për rrjedhojë dhe ne duam pikërisht që raporte të tilla t’i forcojmë. Për ato biznese që do të aplikojnë në mënyrë sistematike skonto, Bashkia e Tiranës do i promovojë. Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit do të shpërndajë certifikatë mirënjohjeje për këto biznese që respektojnë konsumatorin, respektojnë natyrisht edhe traditën e fundvitit, traditën e festave”, - tha nënkryetari i bashkisë. Ndërkaq, autoritetet e bashkisë deklarojnë se deri tani nuk është penalizuar asnjë tregtar, pasi, pas paralajmërimeve, ata kanë zbatuar rregullat e vendosura, në rast të kundërt do të aplikoheshin masat e tjera, si gjobat apo pezullim aktiviteti. Në rast se konstatohet rritje e çmimit, Panariti shprehet se “Deri tani nuk ka qenë e nevojshme të aplikojmë sanksione, sa i përket mosafishimit të çmimeve, sepse tregtarët, bizneset na janë përgjigjur pozitivisht, por në rast se nuk vendoset, pa dyshim me atributet që na njeh ligji, ne do të aplikojmë fillimisht paralajmërimin dhe në rast se insistohet sërish në mosafishim, edhe në bllokimin e mallit”. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës ka deklaruar se në qendër të aksionit do të jenë dhe tregtarët ambulantë, që tregtojnë fruta-perime pranë tregut të Pazarit të Ri, në sheshin “Avni Rustemi” në Tiranë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›