E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ sot shqyrton modelet e listës shumëemërore të deputetëve

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë sot modelet e formularëve, ku partitë politike do të rendisin listat shumëemërore të kandidatëve për deputet. Sipas modeleve është ofruar që të jenë sipas ndarjes së çdo qarku. Mbi bazën e 12 qarqeve do të jenë të renditura listat e kandidatëve të partive politike. Gjithashtu do të miratohen  edhe deklaratat tip, mbi të cilat duhet të plotësohen nga ana e kandidatit për deputet. Kandidati duhet të deklarojë se nuk është përfshirë në listat e tjera ku do të konkurrojë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjithashtu formulari me kandidatë përfshin edhe për subjektet politike që do të konkurrojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit si koalicion politik më vete. Ndër formularët e tjerë përfshihen edhe listat për kandidatët e pavarur për deputet, ku duhet edhe një listë personash të caktuar mbështetësish, me listën e zgjedhësve të zonës. Gjithsej janë 14 modele të ndryshme që lidhen me procesin e aplikimit për kandidatët në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Shtatë anëtarët e KQZ-së do të kenë mundësinë për të përzgjedhur si modelin më të përshtatshëm. Në mbledhjen e sotme KQZ-ja do të shqyrtojë edhe emrat e trajnuesve për KZAZ-të. Në mbledhjen e djeshme KQZ-ja mori vendimin për ngritjen e 66 Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, të cilat do ta kenë qendrën në bashki dhe komunat e vendit. KQZ-ja ka miratuar në të njëjtën kohë edhe memorandumin e bashkëpunimit me KKRT-në, për të realizuar procesin e monitorimit të fushatës elektorale nga ana e partive politike. KKRT-ja merr përsipër të bëjë regjistrimin e sinjalit në mënyrë dixhitale deri në 15 operatorë radiotelevizivë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›