E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: “Për herë të parë këtë vit strategji për kërkimin shkencor”

MASH-i kërkon asistencën e UNESCO-s dhe ekspertëve të saj. Realizmi i strategjisë do të kërkojë më shumë fonde posaçërisht për shkencën

Jonida Tashi

Vendi ynë së shpejti do të disponoj të dhëna kombëtare mbi shkencën dhe teknologjinë. Ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës është duke përgatitur Strategjinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor. Kjo strategji sektoriale, pjesë e Strategjisë Kombëtare për Integrim, do të jetë një dokument politik i domosdoshëm për të gjithë aktorët e Kërkim Zhvillimit në vend. Me iniciativën e ministrit të Arsimit, Genc Pollo, u organizua dje në Hotel Tirana, nga Zyra Rajonale e UNESCO-s, për Shkencën dhe Kulturën në Evropë (BRESCE)*, një takim me ekspertë të kërkimit shkencor dhe teknologjisë. Qëllimi i takimit ishte debati mbi prioritetet e Shqipërisë në shkencë, teknologji dhe kërkim, me synimin për të hartuar një strategji afat-mesme të kërkimit shkencor dhe integrimin e Shqipërisë në Zonën Evropiane të Kërkimit Shkencor. Gjatë fjalës së tij ministri Pollo bëri të ditur se për të ndihmuar në përgatitjen e kësaj strategjie MASH-i ka kërkuar asistencën e UNESCO-s dhe të ekspertëve të saj nëpërmjet Zyrës së saj Rajonale në Venecie, që prej vitesh ka krijuar një eksperiencë të veçantë në këtë fushë duke ndihmuar vendet e rajonit në hartimin e politikave dhe dokumenteve strategjike.
Trajnimi
Një tjetër qëllim i këtij takimi ishte dhe mundësimi i trajnimit të kërkuesve shkencorë shqiptarë në mbledhjen dhe analizën e statistikave, treguesve në shkencën e teknologjinë tonë, krahasuar me standardet e Evropës, OECD, UNESCO-s. Vendi ynë është ndër të paktat vende në Evropë që nuk disponon të dhëna kombëtare mbi shkencën dhe teknologjinë. Për këtë iniciativa e ministrit Pollo u mirëprit dhe u vlerësua nga UNESCO dhe organizata të tjera evropiane që u ofruan të kontribuonin financiarisht për këtë takim. Gjithashtu, ministri i Arsimit ka sqaruar se paralelisht me përgatitjen e strategjisë do të ecë edhe puna për matjen e Indikatorëve dhe Statistikave të Kërkim Zhvillimit, pa te cilët nuk mund të ketë një politikë të qartë e efikase, në dobi të zhvillimit ekonomik. Pollo shprehet: “Jemi ndër vendet e pakta në Europë që ende nuk ka një sistem të mbajtjes së Indikatorëve të OECD-së në këtë fushë, dhe kjo mangësi duhet të plotësohet sa më parë”. Sipas tij, takimi i djeshëm është aktiviteti i parë që do hedhë piketat kryesore të punës që duhet bërë në muajt në vazhdim. Pollo më tej është shprehur se synohet që dokumenti i përfunduar i strategjisë të paraqitet brenda këtij viti në qeveri për aprovim.
Hartimi
Hartimi i Strategjisë së Kërkim Zhvillimit(SKZH), zhvillohet njëkohësisht edhe me implementimin e SKALA, Strategjisë së Arsimit të Lartë. Për këtë ministri i arsimit beson se ndërthurja e të dy proceseve do ketë efekte tepër pozitive për zhvillimin e universiteteve tona, pranë të cilave tashmë janë përfshirë ish-institutet e kërkimit shkencor. Sipas Pollos, realizimi i SKZH-së, kërkon koordinim midis ministrive dhe agjencive të interesuara në këtë çështje, universiteteve e qendrave kërkimore, akademisë e komunitetit të biznesit. Ai ka sqaruar se MASH-i, si ministri përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e politikës së KZH do bëjë të gjitha përpjekjet në këtë drejtim. “Jemi në momentet e përgatitjes së planifikimit tre vjeçar të PBA-së. Objektivi jonë kryesor është të rrisim fondet buxhetore për Kërkim Zhvillimin”, vijoi në fjalën e tij Genc Pollo. Kreu i arsimit është i bindur se gjërat nuk mund të ndryshohen brenda një nate apo brenda një viti, por duhet të kemi parasysh se kjo është një strategji për periudhën 2008-2013. Sipas tij, kjo strategji e çon vendin tonë në prag të anëtarësimit në EU. Pikërisht për këtë arsye ministri Pollo ka qartësuar se nevojitet përcaktimi i objektivave sa më të qarta, i outputeve të plota dhe aktiviteteve të detajuara me buxhetet respektive, në mënyrë që të lobohet me sukses në qeveri dhe parlament për fondet.

4 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›