Berat, 350 konviktorët e pedagogjikes prej dy javësh pa ushqim
Rreth 350 konviktorë (djem e vajza), të shkollës së mesme kombëtare “Kristo Isak”, në qytetin e Beratit, prej më shumë se dy javësh kanë ngelur pa ushqim. Me këtë fenomen, të mungesës së ushqimeve në mensën e tyre, këta të rinjtë janë përballur edhe dy herë të tjera brenda këtij viti shkollor. Shkak i përsëritjes së këtij fenomeni që po ndëshkon në mënyrë të vazhdueshme konviktorët e ardhur nga zonat periferike të Beratit, Tepelenës, Ballshit, Lushnjes, Skraparit etj, edhe këtë herë është bërë mosmarrëveshja midis Ministrisë së Arsimit dhe institucionit të bashkisë së qytetit të Beratit.
Nxënësit
Vetë nxënësit-konviktorë, janë shprehur për gazetën se është e treta herë brenda këtij viti mësimor, që ata ngelen për më shumë se 2-3 javë pa ushqim. Kjo i ka detyruar ata që të ushqehen në Fast-Food-et përreth konvikteve. Por sipas tyre, ushqimi në këto pika tregtimi, jo vetëm që shton tek ata frikën e ndonjë intoksikimi të mundshëm, sepse pjesa më e madhe e tyre janë të pakontrolluara, por është edhe i papërballueshëm për buxhetin familjar të këtyre nxënësve. Ndërkohë që familjet e tyre kanë paguar rregullisht të gjitha detyrimet, në mënyrë që fëmijët të ushqehen në mensën e konviktit. Për situatën e ricikluar në mënyrë të vazhdueshme gjatë këtyre tre viteve të fundit, drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale Berat (DRA), Yzedin Hima, ka fajësuar institucionin e bashkisë Berat. Sipas tij, pas kalimit të fondit nga Ministria e Arsimit në bashki, kjo e fundit neglizhon të bëjë tenderimin me qëllim blerjen e ushqimeve dhe kalimin e tyre për në mensën e konviktit të kësaj shkolle. Hima ka theksuar se edhe pse bëhet fjalë për një problem që është diskutuar shumë herë, ai ende nuk ka marrë rrugën e zgjidhjes, sepse bashkia nuk zbaton kompetencat që i ka dhënë ligji.
Fondi
Fondi nga Ministria e Financave ka mbërritur në thesarin e qarkut të Beratit në emër të bashkisë së qytetit. Drejtuesit e pushtetit vendor duhet të bënin tenderimin e fondeve për ushqimin e nxënësve konviktorë. “Çuditërisht bashkia e Beratit, për të tretin vit radhazi, nuk pranon të bëjë tenderimin dhe nuk pranon të zbatojë kompetencat të cilat i’a jep ligji”,- sqaroi Hima. Gjithashtu, ai pohoi se gjatë takimeve që ka bërë me kryebashkiakun, Fadil Nasufi, ky i fundit i ka premtuar fillimin e procesit të tenderimit, por me sa duket stafi i tij nuk zbaton urdhrat e dhëna nga kreu i këtij institucioni. Sipas drejtorit të DRA-së Berat, fëmijët janë ushqyer sipas tenderimit që ka realizuar shkolla “Kristo Isak”, e cila është një shkollë kombëtare, por që realisht ligji ia ndalon të bëjë një tenderim të tillë. “Edhe tenderimet e mëparshme të bëra nga kjo shkollë kanë qenë në një farë mënyre të paligjshme, pasi kompetencat për këtë veprim i takojnë bashkisë së Beratit”-, u shpreh Yzedin Hima.
Situata
Situata e krijuar në këtë shkollë gjatë këtyre tre viteve të fundit ka shfaqur edhe ndikimin e saj negativ në uljen e numrit të nxënësve në këtë shkollë. Kjo është pranuar edhe nga vetë kreu i arsimit në Berat, i cili bëri të ditur se si pasojë e kësaj situate numri i nxënësve nuk është rritur ashtu siç kjo drejtori shpresonte të ndodhte me këtë shkollë profesionale. Sipas tij, kjo tregon se nxënësit-konviktorë të kësaj shkolle nuk mund të durojnë dot më zvarritjen e vazhdueshme të bashkisë, megjithëse ligji i detyron të menaxhojnë edhe fondet e ushqimeve të mensës së konvikteve. Ndërkohë e kundërta pohohet nga kryetari i bashkisë së këtij qyteti, Fadil Nasufi. Isufi është shprehur se, edhe pse fondi për blerjen e ushqimeve për mensën e Shkollës së Mesme kombëtare “Kristo Isak”, i ka kaluar degës së thesarit, me qëllim përdorimin nga ana e qendrës ekonomike, ende në bashki nuk ka mbërritur vendimi i Këshillit të Ministrave, që autorizon këtë institucion për të filluar procesin e tenderimit të ushqimeve për këtë shkollë. Sipas kreut të bashkisë Berat, ky vendim do të zgjidhte përfundimisht problemin e krijuar në mënyrë të vazhdueshme atë furnizimit normal me ushqim të mensës së konviktit të kësaj shkolle, në të cilën ndodhen 350 nxënës-konviktorë. E. Petova
4 Prill 2008