E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Shqipëria dixhitale, objektiv i qeverisë

Duke përshëndetur punimet e Konferencës për Shoqërinë e Informacionit, ministri Pollo u ndal te rëndësia e Teknologjisë së Komunikimit dhe Informacionit TIK, të cilën e konsideroi "një kusht për t'u shkëputur nga prapambetja dhe për të ecur përpara drejt modernitetit".

 "Shqipëria sot ka një penetrim të telefonisë celulare me mbi 100 për qind, shifër kjo gati e njëjtë me mesataren e BE-së, që është 111 për qind. Përdorimi i internetit është shtuar ndjeshëm, duke bërë që vendi të ketë rritjen më të shpejtë në Europë, ndërsa është arritur ofrimi i internetit në shkolla në masën 100 për qind", tha Pollo.

Megjithatë, ai pranoi se shtrirja e internetit në të gjithë vend nuk është në nivelet e kërkuara. Ndaj në këtë drejtim, Pollo u angazhua se "qeveria do të largojë çdo pengesë burokratike dhe do të bëjë çdo investim të nevojshëm  që të barazohet me vendet e rajonit, për sa i përket shtrirjes së përdorimit të internetit". Ministri i Shtetit Pollo kërkoi nga përfaqësuesit e kompanive të telekomunikacionit që veprojnë në Shqipëri, që të afrojnë çmime më të arsyeshme.

 "Përfitimi i publikut do të ishte më i madh nëse mundësitë e ofruara nga tekonologjia do të afroheshin me çmime të arsyeshme", tha ai. Ministri Pollo vlerësoi liberalizimin e plotë të tregut të telekomunikacioneve dhe forcimin e  konkurencës në këtë treg. "Ky mbetet synimi ynë", tha Pollo, duke vlerësuar se "ligji i komunikimeve elektronike, i miratuar në maj 2008, ka hequr një sërë barrierash për hyrësit e rinj në këtë treg".

Në tregun e telekomunikacioneve, sipas z. Pollo "është ndjekur politika e liberalizimit gradual dhe janë kryer privatizime të rëndësishme të kompanive të telefonisë" dhe si pasojë, sot është licensuar operatori i 4-t të telefonisë celulare, "ndërsa janë shtuar edhe operatorët e telefonisë fikse dhe të ofruesve të shërbimit të internetit". "Në sektorin e komunikimeve elektronike, investimet e huaja zënë vend të rëndësishëm falë politikës së hapur ndaj tyre", tha z. Pollo, që çmoi dhe faktin se një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe përgatitjes profesionale dhe arsimimit në drejtim të Teknologjisë së Informacionit.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›