Pollo: Shqiptarët nuk duan të ndërpresin kurbën e zhvillimit që po përjetojnë këto 7 vjet
Në një intervistë të posaçme për gazetën “55”, ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe komunikimin, Genc Pollo shprehet se sjellja e shefit të opozitës është jashtë çdo modeli racional dhe se historia dhe veçanërisht ndërkombëtarët, do ta shohin atë ose si bllokator i dështuar, ose si bllokator i suksesshëm….
Çështja e heqjes së imunitetit mbetet në rend të ditës. Pas refuzimit të Partisë Socialiste për të votuar amendimet kushtetuese, në gusht, duket se PS-ja jep sinjale kontradiktore, herë vë kushte, herë i heq dhe pastaj i vë prapë. A besoni ju te konsensusi në Kuvend, apo tek konsensusi popullor i referendumit?
Genc Pollo: Nëse më kërkoni të jem fallxhor e të gjej çfarë do të bëjë z. Rama e partia e tij, pas dy javësh, ju them se kjo shkon përtej mundësive të mia. Shpesh sjellja politike e z. Rama nuk përputhet me ndonjë model racional e nuk para është objekt i parashikueshmërisë. Por çfarëdo që të bëjë zoti Rama, edhe po të votojë pro, edhe po të votojë kundra (apo të mos votojë fare) do të dalë personalisht i humbur nga kjo histori bllokimi.
Ç’doni të thoni?
Dua të them se në 6 gusht ai kishte një mundësi të artë ta shpallte votimin si kauzë të tij e të PS-së; si në përmbajtje ashtu edhe në procedurë. Me këtë ai do të ndante me Qeverinë meritën e reformës dhe mund të pretendonte edhe kontribut në akordimin eventual të statusit kandidat të BE-së. Nëse në shtator ai sillet njëlloj si në gusht, atëherë do të ndëshkohet nga opinioni publik, përfshi edhe njerëzit që kanë votuar PS-në, si dhe do të qortohet e margjinalizohet nga komuniteti ndërkombëtar. Çfarëdo që të vendosë Komisioni Evropian më pas, Edi Rama do të shihet ose si bllokator i dështuar, ose si bllokator i suksesshëm. Në të dy rastet ai do të konsiderohet si një njeri që punon kundër vendit të vet, kundër aspiratës europiane të shqiptarëve, përfshi dhe socialistët e tij. Nëse në shtator z. Rama, siç ka deklaruar, voton pa kushte për amendamentin Paloka-Majko të gjithë do të mendojnë se e bëri nga frika e referendumit plebishitar. Dhe nëqoftëse ekziston dikush në në PS që ka gojë për të folur nuk mund të thotë vecse “Po ç’na bëre kështu o shef? Pse nuk e kryem që në gusht e të rrinim rehat e pa humbur fytyrën!”.
Por ka zëra që insistojnë se imuniteti nuk është kusht për statusin kandidat? Nuk është një ndër 12 pikat, detyrat e shtëpisë?
Imuniteti është një ndër masat kryesore të pikës 8, që ka të bëjë me kriminalitetin, korrupsionin e shtetin ligjor. Kush nuk ka kohë e qejf për sofizma, mjafton të lexojë letrën e fundit të Komisionerit Evropian për Zgjerimin, drejtuar Kryeministrit Berisha, që u publikua para dhjetë ditësh. E vetmja reformë e pakryer, që përmendej specifikisht se duhej bërë së afërmi, ishte ajo e imunitetit. Te tjerat, në tërësi, ishin gjëra të bëra sidomos nga nëntori e këtej përfshi këtu edhe disa ligje me 3/5 pra me votën e opozitës.
Pra integrimi në BE mbetet motorr i reformave; si gjithmonë këta 20 vjet apo jo?
Unë do të preferoja që heqja e imuniteteve të debatohej për atë që është: një hap transformues në rendin politik të gjërave në Shqipëri. Një hap që duhet të ndërmerrej edhe sikur të mos ekzistonte letra e Komisionerit, pika 8, e 11 pikat e tjera. Madje edhe sikur Shqipëria të ishte anëtare e plotë e BE-së.
Kushtëzimi i PS-së me amendimin, që kërkon 3/5 e votave për Kryeprokurorin, gjykatësit e lartë, kundërshtohet nga ju, por opozita insiston se është model i shumë vendeve evropiane. Komenti juaj?
Nuk kam dëgjuar të thonë ndonjë rast konkret të ndonjë vendi europian dhe nuk kam dëgjuar që në vendet ku për këto poste vendos Parlamenti, të jetë i detyrueshëm konsensusi me opozitën përmes votimit me shumicë të kualifikuar. Për më tepër, çdo formulë është në harmoni me tërë sistemin kushtetues të një vendi. Prandaj nuk mund të marrim një qershi këtu e një kumbull atje. Po të ishte kështu, mazhoranca fare kollaj mund të thoshte le të adoptojmë modelin amerikan, ku të gjithë gjykatësit e lartë emërohen nga shefi i ekzekutivit. Ndërsa për përmbajtjen e propozimit të PS-së, mund të them se në kushtet tona ajo sjell bllokimin permanent të vendimmarrjes dhe paralizën e sistemit të drejtësisë.
Ndërkohë mazhoranca ka hedhur në tryezë një zgjidhje të re: të jenë qytetarët dhe jo politika që të vendosë për mburojën e tepërt ligjore të zyrtarëve të lartë nëpërmjet një referendumi? Si e shikoni këtë iniciativë? A mendoni se do të jetë një mundësi për t’i dhënë shanse integrimit evropian?
Nuk jam një fan i referendumeve; ata pashmangshmërisht përmbajnë doza populizmi. Në sisteme si ky i yni, i demokracive përfaqësuese, populli zgjedh përfaqësuesit e vet në Parlament dhe u delegon e beson atyre zgjidhjen e duhur e të drejtë për çështje komplekse, të cilat vështirë se u jepet dum me një po a me një jo popullore. Kjo është historia politike, shumë shekullore e Anglisë. Edhe ShBA apo Gjermania e pasluftës nuk di të kenë mbajtur ndonjë referendum në nivel federal. Por në kushtet e bllokatorit Rama, nisma referendare e z. Berisha është ajo që mund të hapë rrugën e heqjes së imunitetit.
Në verë 2013 kemi zgjedhje parlamentare. Pse mendoni se koalicioni i PD duhet të fitojë sërish?
Mendoj se shqiptarët nuk dëshirojnë ta ndërpresin një kurbë zhvillimi e ngritje të shoqërisë e kombit, që të gjithë e vërejnë qartë këto 7-8 vite. Ata do të dëshironin që projektet e mëdha modernizuese të infrastrukturës, të digjitalizimit, të bujqësisë e të tjera të mos ndërpriteshin. Për më tepër që nuk do të donin që kriza e stërzgjatur financiare në Evropë e botë të prekte kuletën e tyre, çka deri tani është evituar në sajë të politikave të Qeverisë. Këtë garanci e jep sot Kryeministri Berisha, PD-ja e koalicioni ynë. Nuk do të doja që arsyen e fitores ta shihja tek dobësia kronike e zotit Rama dhe tek mungesa endemike e alternativave në Partinë Socialiste.
Intervistoi Lavdrim Lita