E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo fton opozitën të marrë pjesë në Parlament

Ministri i Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Parlamentin, Genc Pollo, ftoi sot opozitën që "të ulet në parlament dhe të bëhet pjesë e reformave të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit". Duke përshëndetur Konferencën Rajonale Anti-Korrupsion, e cila u organizua sot në Hotel "Tirana International", z. Pollo vuri në dukje se "korrupsioni, abuzimi me detyrën dhe shitja e ofiqit publik janë ndër dështimet më të mëdha për shoqërinë dhe për të ardhmen e saj". "Vendet e rajonit duhet të përfitojnë nga përvoja e njëri-tjetrit. Fatkeqësisht deri në mes të kësaj dekade, Shqipëria konsiderohej si e pllakosur nga ky fenomen, por edhe nga krimi i organizuar", tha zoti Pollo, duke vlerësuar se "elementi kryesor që ndikon në ndryshimin e situatës dhe pastrimin e kanaleve të shtetit dhe shoqërisë nga ky fenomen është një vullnet i qartë politik".  Sipas tij, "lufta kundër korrupsionit ka qenë ndër premtimet kryesore të Kryeministrit Berisha si në fushatën zgjedhore të 2005, ashtu edhe në fushatën zgjedhore që sapo u mbyll dhe që konfirmoi të njëjtin mandat për këtë maxhorancë". Duke renditur disa nga arritjet e deritanishme të qeverisë në luftën kundër korrupsionit, zoti Pollo u ndal te përdorimi i teknologjisë së informacionit në shumë sektorë të rëndësishëm, gjë që, sipas tij, "ka reduktuar praktikat korruptive". "Në kuadër të reformës legjislative, një nga angazhimet tona ishte heqja e imunitetit për çdo zyrtar, duke filluar nga anëtarët e qeverisë dhe ata të parlamentit. Kjo nuk u realizua pasi duhej konsensus për të realizuar amendimin e Kushetutës", tha zoti Pollo, duke ftuar opozitën që "të tregohet bashkëpunuese në legjislaturën që sapo ka filluar". Gjithashtu, ai kërkoi kontributin e opozitës edhe për miratimin e ligjit "Për gjykatat administrative", i cili synon të krijojë një organ shumë të vlefshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë në kuadër të luftës kundër korrupsionit. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›