Udhërrëfyesit e Kosovës
Kosovës i duhet Udhërrëfyesi për stacionin final politik të Brukselit (BE dhe NATO). Por Kosovës gjithsesi i duhet edhe Udhërrëfyesi politik dhe i sigurisë, si të mbërrihet në të gjithë veriun e Kosovës. Kosova, pastaj, nuk mund të lëvizë tutje pa pasur edhe Udhërrëfyesin ekonomik dhe social
Çka tash e tutje? Kjo do të duhej të ishte pyetja themelore politike në Kosovë, në konkludim të proceseve të cilat sollën nënshkrimin e Protokollit të bashkëpunimit të EULEX-it me Policinë e Serbisë, të premten e kaluar, me 11 shtator. Pyetja: Çka tash e tutje, nuk ka të bëjë vetëm me këtë Protokoll, me zhvillimet që do të pasojnë rreth tij, me tensionimet politike që mund të priten në vend. Ajo është më gjithëpërfshirëse. Kjo pyetje, në vete përmban një refuzim kategorik, të ndërtuar mbi përvojën e deritashme të rrjedhave në Kosovë, të trajtimit të këtyre çështjeve me rëndësi sipërore për sigurinë dhe për politikën e vendit, në mënyrën e bërë prej udhëheqësisë së Kosovës. Pra, Prishtina zyrtare, skena politike e vendit, nuk mund të vazhdojë të sillet në këtë mënyrë, siç ka bërë në kontinuitet, duke menduar që me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt, 2008, dhe me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me 15 qershor, 2008, ka marrë fund politike e ndërtimit të shtetit. Në fakt, me këto dy ngjarje dhe dy data të mëdha, kemi nisë ta ndërtojmë shtetin, duke pasur në duart tona mjete të fuqishme ligjore dhe politike për ta përmbyllur me sukses këtë proces shumë të vështirë. Një histori e tërë e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, është rrumbullakësuar me 17 shkurt të vitit të kaluar. Por, bërja e Kosovës shtet funksional dhe të suksesshëm, kërkon që përditë të merremi me temat e rënda, të mundimshme, sfiduese, të cilat nuk bën të adresohen ashtu siç na vijnë, përmes realitetit, duke u marrë me pasojat a konsekuencat e tyre, por duke aplikuar qasjen e paraprirjes, të analizimit objektiv të gjendjes në Kosovë, dhe të planifikimit të detajizuar për zgjidhjen e tyre. Nuk frikohen dhe as nuk zmbrapsen këto tema dhe këto probleme, duke thënë një ditë që asnjë vendim në shtetin e Kosovës nuk mund të merret pa Prishtinën zyrtare, e ditën tjetër, duke pohuar që Republika e Kosovës nuk ka pasur lidhje me aranzhmanet teknike të EULEX-it dhe Serbisë. Të gjithë ne e dimë, pos si po duket udhëheqësve të Kosovës, që sovraniteti i Kosovës është i cenuar, i rrezikuar në veri, dhe në pjesët tjera të banuara me shumicën serbe, për shkak të veprimeve të shtetit të Serbisë. Të gjithë ne e kemi të qartë që në veri të Kosovës nuk ka rend dhe nuk ka ligj, që prej shkurtit, marsit të vitit 2008. Të gjithë ne e kemi kuptuar që ekziston problemi i integritetit të territorit të Republikës së Kosovës, për shkak të politikës së njohur të Serbisë. Të gjithë ne e kemi marrë vesh që njohja ndërkombëtare e shtetit të Kosovës, ka pengesa të panumërta, që do të na duhet mund dhe përpjekje disavjeçare, ashtu që të mbërrijmë tek dyert e OKB-së në New York, pas të cilave hapen të gjitha portat e mundshme të anëtarësimit në organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Në këtë kontekst, assesi nuk duhet harruar telashen e njohur me pesëshen e Bashkimit Evropian (Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro), e cila refuzon ta njohë Kosovën. Pa marrë parasysh se çfarë fjalësh dhe premtimesh mund të na vijnë prej Brukselit për perspektivën evropiane të Kosovës, ato nuk kanë vlerë të mirëfilltë, sepse devalvimi i plotë i këtyre qëndrimeve pason tok me jo-në e pesëshes kundërshtuese. Të gjithë ne kemi mbërritur tek përfundimi që jemi në fillim të proceseve të rënda, rrjedha e të cilave, me drejtimin që do të marrin, do ta përcaktojnë cilësinë e shtetit të Kosovës, stabilitetin dhe prosperitetin e tij, apo rënien dhe tatëpjetën e tij. Të gjithë ne, pos liderëve të Republikës së Kosovës, jemi të vetëdijshëm për këto të vërteta. Faktet që është kështu, dalin në shesh përditë prej deklaratave, vlerësimeve dhe qëndrimeve të këtyre liderëve. Prej mënyrës si bëhet politika e Kosovës, brenda dhe jashtë saj. Tekefundit, prej rezultateve konkrete të kësaj politike, me të cilat po përballemi përditë e më shumë. Çka do të duhej të bënim atëherë tash e tutje, po që se këtu i kthehemi pyetjes së fillimit.
Para së gjithash, kërkimi i përgjigjeve në këtë pyetje kyçe, do të mund të nisej me numërimin e ngjarjeve dhe rrjedhave të cilat më nuk duhet të na ndodhin. Për shembull, nuk duhet refuzuar ballafaqimin me njëmendësinë politike në vend, veçmas në veri të Kosovës. Nuk duhet lejuar që realiteti dhe ngjarjet të na prijnë përditë, duke na sjellë lajme të këqija dhe problematike. Nuk duhet mbërritur në një situatë e cila, dashtë e pa dashtë ne, mund të kualifikohet si keqkuptuese, kundërthënëse, madje edhe konfrontuese midis nesh dhe Perëndimit, edhe pse ne të gjithë e dimë se çfarë rëndësie kanë për stabilizimin e shtetit të Kosovës dhe për ardhmëninë e tij, marrëdhëniet e mira të Kosovës me Perëndimin. Nuk duhet bërë çështje pazari të përditshëm politik, në raportet midis Qeverisë dhe opozitës, temat e këtij lloji, të cilat mund të dëmtojnë thelbësisht shtetin e Kosovës. Këtu dëmi është gjithëpërfshirës, apo, bie mbi të gjithë ne, edhe pse dihet se kujt i takon përgjegjësia. Nuk mund të ecim edhe tash e tutje me “Planin” e quajtur “Kosova është Republikë e pavarur, sovrane dhe demokratike”, i cili “nënkupton” që të gjitha çështjet do të zgjidhen me faktin që jemi bërë shtet.
Dhe kështu me radhë.
Kosovës i duhet patjetër Udhërrëfyesi për të mbërritur në stacionin final politik të Brukselit (Bashkimit Evropian dhe Paktit NATO). Por Kosovës gjithsesi i duhet edhe Udhërrëfyesi politik dhe i sigurisë si të mbërrihet, me rend, me ligj, me Kushtetutë, me stabilitet, edhe në gjithë veriun e Kosovës, dhe si të përfshihen serbët e Kosovës në institucionet e vendit. Kosova, pastaj, nuk mund të lëvizë tutje pa pasur edhe Udhërrëfyesin ekonomik dhe social për zhvillimin ekonomik, për sigurimin e investimeve nga jashtë, për rritjen e buxhetit i cili do të ndryshonte, rrënjësisht, mjerimin social që është në rritje e sipër në gjithë vendin. Këta Udhërrëfyes, të cilët në tërësinë e tyre përbëjnë Agjendën afatmesme të Kosovës, nuk pikin prej qiellit - si thuhet. As nuk bëhen brenda ditës. Ata, në hapin e parë të tyre, njohin gatishmërinë për ta diagnostifikuar realisht gjendjen në Kosovë, në të gjitha fushat, suksesi dhe dështimi i të cilave përcakton fatin e shtetit të Kosovës. Hapi i dytë do të duhej të ishte fillimi i një debati intensiv me Brukselin dhe Washingtonin, për përgatitjen e këtyre Udhërrëfyesve. Nuk mund ta zëmë më të shtyhet për ditë më të mira (sepse ato nuk vijnë vet prej veti), çelja e temës së kërcënimit të sovranitetit të Kosovës në veri të vendit. Nuk mund më të besohet në teorinë sipas të cilës, me afrimin e Beogradit kah Brukseli (BE-ja), do të ndodhë largimi i Beogradit prej Kroit të Vitakut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe veriut të Kosovës, apo, edhe prej lojës me serbët e Kosovës. Nuk mund assesi të vazhdohet me politiken e mbylljes së syve para një politike të paqëndrueshme të favorizimit të Beogradit në rrugëtimin kah BE-ja, pa e kushtëzuar atë aspak me zgjidhjen e raporteve të Serbisë me Kosovën. Nuk mund më të anashkalohet realiteti i mungesës së një koordinimi të duhur në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Misioneve civile ndërkombëtare (ICO-së dhe EULEX-it), e cila në rastin e Protokollit, shtyu Quintin (pesëshen e madhe perëndimore që përbëhet prej SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë), të intervenojë politikisht për ta tëfilluar, sadopak, lëmshin e krijuar në ndërkohë. Dhe kështu me radhë.
Pastaj, do të vinte ai hapi i tretë i Hartimit të Udhërrëfyesve, të cilët, përmes zbatimit të tyre, do të mundësonin zgjidhjen e çështjeve madhore me të cilat po ballafaqohet Kosova.
Shkurt e shqip: Duhet ta marrim iniciativën. Të jemi shumë më aktivë. Më të përqendruar. Më të artikuluar. Më të qartë. Në atë rast, rezultatet nuk do të mungojnë. Assesi.