Deputetët socialistë, në kërkim të vetvetes
Deputetët socialistë nuk po dinë si të hyjnë pa rënë në sy në parlament. E kuptojnë që i ka marrë peng Edi Rama. Që ky i ka caktuar të zgjidhë me ta punët e tij. Se, fundi, thonë, ky na futi në listë, që t’u shërbejmë ambicieve të tij. Zgjidhjes së problemeve të veta brenda partisë. Sepse një lider i një partie të majtë vlen më shumë se vetë partia! Prandaj deputetët janë vënë në start, në pritje të sinjalit të Ramës. Ndërkohë këtij të fundit s’po i binden anëtarë të kryesisë. Sapo ky kërkon hapjen e kutive të votimit, rebelët duan hapjen e partisë. Deputetët shikojnë në sy anëtarët e kryesisë, këta vetëm ngrejnë supet. Askush nuk është i bindur se kujt i shërben bojkoti. Sovrani zgjedh shërbestarë, këta duan t’u shërbejë elektorati. Ka vajtur puna të zgjidhet rebusi “Pula bëri vezën, apo veza pulën?”. Deputetët socialistë edhe janë, edhe nuk janë përfaqësues të popullit. Që janë, e di K.Q.Z.-ja me Kolegjin Zgjedhor. Që nuk janë, e di Edi Rama. Të gjorët deputetë ! Në vend të zgjidhin hallet e zgjedhësve, nuk po zgjidhin të tyret. Gjithë bota dërgon përgëzime për standartin e zgjedhjeve, deputetëve socialistë u duhet të mbajnë zí për vjedhjen e votës. U vjen turp nga vetja, nga shokët e miqtë. U vjen rëndë të shkojnë heret në shtëpi. Të kishin mundësi t’u thoshin, të paktën, u ramë bilbilëve! Kurse deputetët po detyrohen të gënjejnë edhe berberët e kafexhinjtë, që s’kanë ndjekur zhvillimet e fundit. Afrohen me druajtje te selia rozë, por, me të dëgjuar aty klithmat e kryetarit në detyrë “Do të më njihni kush jam!”, largohen sikur të jenë fajtorë. I ngushëllon shpresa që Rama të rizgjidhet kryetar. Ndoshta i mbushet mendja pastaj t’i fusë në kuvend. Ka mes deputetëve që dhe janë penduar pse pranuan të futeshin në listën e Ramës. Po tani ngeci karkaleci ! Si mund t’i ankohen idealistit Rama, që la veten jashtë liste ? Shkurt, u ka zënë keq rrota bishtin. Ndërkohë që nga komunat vijnë zgjedhës të qajnë hallet, deputetët ikin në drejtim të paditur, që t’u fshihen hallexhinjve. “Baballarët e kombit” po shohin me lakmí dinjitetin e një portieri. Ndërkohë që pozita i fton të hyjnë në parlament, këta shikojnë Ramën në sy. Kurse ky ngre kokën lart, si të dojë t’u thotë se është duke dëgjuar “zëra” nga lart. Të lodhur nga pritja, deputetët shkuan buzë të detit dhe nisën të stërviten për të mbajtur fjalime me zë të lartë. Dhe po kënaqen, kur klithin atje, njëlloj si të ishin në parlament duke kundërshtuar projektet e qeverisë. Dhe u duket sikur debatojnë ashpër me kundërshtarët. Sikur artikulojnë atje replika të kripura. Pastaj natën shohin në ëndërr sikur njerëzit i lavdërojnë për mbrojtjen, që i kanë bërë kauzës socialiste. Por këtu ngecnin. Ngecin se nuk e dinë se ç’kauzë mbrojnë vërtet socialistët. Veç nëse quhet kauzë zgjedhja e Ramës kryetar.(!) Prandaj të nesërmen ndizet mes tyre debati në kafené. Ca ndihen krenarë që po flijohen për një misionar. Ca shprehen se ky liberal meriton t’i shkelë edhe me këmbë. Sekserët e tij mbrojnë tezën se jashtë kuvendit i shërbehet më mirë partisë. Oportunistët shfaqen krenarë të imitojnë tezat radikale të këtij reformatori, pavarësisht pse e nxorri partinë me këpucë të kuqe. Por, befas ngritën kokë aty edhe ca kokëkrisur, që mbronin mendimin ndryshe. Kjo solli një goxha sherr. Disa u ngritën në këmbë të deklaronin se Rama është gjeniu i shekullit. Se ai dëshiron ta bëjë P.S.-në të dashur edhe për kundërshtarët politikë. Se Rama ka lindur para kohe në këtë botë. Se ai mendon vetëm për brezat që vijnë. Ndoshta prandaj dhe grumbullon pará për projekte, që endé s’i ka të qarta. Kurse një xhaketë e vjetër shtoi se Ai udhëhiqet nga idetë e “komandantit”, i cili, edhe pse nuk zbrazi një pushkë në luftë, adhurohet si hero legjendar. Rama - shtoi një “kasketë” - hyn, bilé, tek klasikët. Ai ka “thithur” shpirtin revolucionar të kësaj doktrine dhe ka si parim “O lekun, o hendekun!”. Shkurt, ai dëshiron të marrë të gjitha pushtetet, ose ta lërë partinë me gisht në gojë. Gjenítë e nuhasin shpejt leverdinë e braktisjes së kuvendit, e vënies së “kushteve” për rinumërimin e votave. Vetëm kjo e detyron elektoratin t’i vërë gishtin kokës. Jo më kot ai nuk iu përgjigj ftesës së Metës për bashkëpunim. Jo pa shkak shpalli armiq gjithë ata që mendojnë ndryshe. Diktatura nuk arrihet me sentimentalizma ! Rama e di mirë që votimet i humbi. Që “kushti” i rinumërimit të votave është një pretekst. E di Rama që këto zgjedhje i ka humbur. Madjé, ai qe gati të hynte vetë në koalicion me të djathtën. Jo, bre ! - u hodh një “mustaqe” - Ramën s’e lë hunda të hajë bar ! Ai, shokë, vazhdoi “mustaqja”, udhëhiqet nga ideja madhore e flijimit, e shpresës pa fund, e barazisë në mjerim, e krijimit të idhujve, e teorisë së prerjes së bukës për t’u harruar djathi, e tj. “Po ne ?” - guxoi e pyeti një i ri, i porsardhur nga studimet jashtë shtetit. “ Ne po përdoremi si mish për top!? Ne nuk po njohim veten ? Le të na lejojë Rama të përdorim, të paktën, nga një bilbil, a një daulle, sa të ndihemi që jemi gjallë ! Por ky mendim u kundërshtua nga gjithë servilët e Ramës si një plagjiaturë, të cilën ai nuk e mund ta pranojë, edhe kur të bëhet rishtas kryetar. Se ai, shokë, qëndron mbi partinë, mbi fitoren elektorale, mbi zgjedhjet, mbi statutin, mbi kryesinë, mbi opinionet dhe opinionistët. Me të drejtë Rama ka filluar të mos njohë autoritet veç vetes. Prandaj ia vlen të ngelemi jashtë parlamentit, se pasojat i mban ai përsipër. Vetëm me idolatri, thotë Rama, arrihet uniteti i madh. Këto janë idera, shokë, që unë kam mundur t’ia vjedh Ramës, kur ai ka qënë “tapë”. Befas një tip fshatari pyeti si me gjysëm zëri .”Po elektorati ? Përse na ka zgjedhur ne ? Që t’i bëjmë fresk Ramës ?!”. Këtu filxhanët e kafesë mbetën të ngrirë në duart e ngrira të deputetëve, që po kërkojnë çdo ditë veten e tyre!...