E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo “hakmerret” ndaj Ndokës



Kryetari i Partisë Demokrate të re, Genc Pollo, tashmë në postin e zëvendës kryeministrit ka marrë pjesë dje në ceremoninë e kalimit të postit të ministrit të Shëndetësisë nga Nard Ndoka tek Anila Godo. Pak vite më parë Nard Ndoka braktisi Partinë Demokrate të Re, duke e lënë Pollon vetëm më dy vota në Kuvend duke rrezikur qëndrimin e tij në qeveri. Ndoka mori drejtimin e Partisë Demokristiane, post i cili i dha atij mundësinë e përfaqësimit në qeveri si ministër i Shëndetësisë. Ndërkohë që dje kryetari i ish partisë së Ndokës mori pjesë në largimin e tij nga qeveria dhe në prezantimin e ministres së re të Shëndetësisë, Anila Godo. Me propozim të Kryeministrit Sali Berisha, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi dekretoi me datën 25 korrik Anila Godon në postin e ministres së Shëndetësisë. Sipas procedurave kushtetuese, dekreti i Presidentit u votua me 28 korrik në parlament, ku me 79 vota pro deputetët i dhanë votëbesimin dekretit presidencial. Gjatë ditës së djeshme Anila Godo bëri betimin në presidencë dhe më pas mori pjesë në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave.

Ministrat, një muaj kohë për të dorëzuar buxhetin për projektet e 2009-ës

Kryeministri Berisha u ka kërkuar ministrave që brenda muajit gusht të dorëzojnë pranë tij fondin buxhetor për projektet që do të realizohen gjatë vitit 2009. Megjithëse ky është një vit elektoral, Berisha kërkoi dyfishimin e reformave në mënyrë që të bëhen realitet të gjitha premtimet e qeverisë. “Duhet të jetë në dinjitetin dhe detyrimin tonë ndaj qytetarëve shqiptarë, që këtë vit ta shndërrojmë në vitin e suksesit kulmor të reformave tona. Asnjë nuk do të mund të falej, nëse ritmi i këtyre reformave jetike për vendin do të dobësohet dhe nëse kufiri i tyre nuk do të ecë çdo ditë e më përpara,” u shpreh Kryeministri. Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi nga ministrat që të paraqesin në qeveri në javën e fundit të gushtit buxhetin për vitin 2009.
“Unë nuk mund të mohoj se është vit elektoral, por do të ishte e pafalshme që ne të mos dyfishonin përpjekjet dhe disiplina buxhetore e fiskale të mos vazhdojnë të jenë të konsoliduara dhe të pacenuara nga klima elektorale”, është shprehur Berisha.

31 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›