Sali Berisha fundos Ndokën: Shëndetësia, sektor i korruptuar
Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar shëndetësinë si sektorin më të korruptuar. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të qeverisë Berisha i ka kërkuar ministres së re të Shëndetësisë, Anila Godo, që të ketë prioritet të punës së saj luftën kundër korrupsionit në këtë dikaster. “Ne kemi probleme madhore në sistemin shëndetësor. Lufta kundër korrupsionit në sistemin e shëndetësisë duhet të jetë përparësi për ju”, u shpreh Berisha. Një deklaratë e tillë e kreut të qeverisë fundosi edhe më tej punën e bërë nga ish-ministri, Nard Ndoka. Nëpërmjet kësaj deklarate Berisha dha disa nga arsyet e largimit të Ndokës nga kabineti qeveritar, duke mos njohur në këtë mënyrë reformat e ndërmarra prej tij. Gjatë qëndrimit të Ndokës në krye të kësaj ministrie jo pak mjekë janë shkarkuar për shkak të marrjes së rryshfeteve.
Shëndetësia
Gjatë fjalës së tij, Berisha garantoi ministren e re se qeveria do të mbështesë nismat për të goditur korrupsionin në këtë sektor. “Qeveria do t’ju japë të gjithë mbështetjen e nevojshme për t’i dhënë përgjigjen e merituar korrupsionit aty ku ndodhet dhe pa asnjë hezitim për ata, të cilët bluzën e bardhë, betimin e Hipokratit, parimet e humanizmit dhe fisnikërinë e madhe të këtij profesioni marrin përsipër ta nxijnë dhe ta përlyejnë në mënyrën më të papranueshme”, është shprehur Berisha. Duke iu drejtuar ministres Godo, Berisha tha se kërkon prej saj reformë të thellë në shëndetësi. “Zonja Godo, duke ruajtur arritjet e deritanishme, ju keni një barrë të rëndë reale për reformimin e thellë të sistemit shëndetësor. Në tërësi, reforma e shëndetësisë, duhet të jemi realistë, është ndër më të vështirat, por absolutisht më e domosdoshmja. Në këtë sistem, ne kemi personalitet ndër më të shquarat, shkencëtarë dhe humanistë të vërtetë të mëdhenj e të shquar. Mendja, ekspertiza dhe kontributi i tyre, nën udhëheqjen dhe drejtimin tuaj, do të mund të bëhet promotor i transformimit të këtij sistemi,” u shpreh Kryeministri. Berisha gjithashtu tha se qeveria do të inkurajojë dhe zhvillimin e sektorit privat në shëndetësi. Ai theksoi se disa shërbime shëndetësore duhet të jepen me konçesion. “Ne nuk detyrojmë dhe nuk pengojmë asnjë që do të pasurohet me djersën e tij në sektorin privat. Kjo mundësi do të jetë e hapur për ta, por ne nuk mund të pranojmë në mënyrë kategorike që shërbimi publik, i garantuar me taksat dhe djersën e qytetarëve shqiptarë, t’u shitet si shërbim privat për pasurimin e një apo tjetër individi. Nxitja e sektorit privat në shëndetësi është jashtëzakonisht e rëndësishme. Në këtë drejtim, duhet të shihet edhe dhënia e shërbimeve në këtë sektor me koncesion, duke shfrytëzuar ligjin për partneritetin privat publik që e vendos këtë proces mbi baza të ndershme dhe transparence”, - u shpreh Berisha, ndërsa i uroi suksese në detyrën e re ministres Godo.
Arsimi
Berisha gjithashtu gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të qeverisë ka uruar ministrin e ri të Arsimit, Fatos Bejën, ndërsa ka vlerësuar punën e ish-ministrit Genc Pollo në këtë sektor. Kreu i qeverisë ka vënë theksin në fuqizimin e arsimit profesional në vitet e ardhshme dhe në përshtatjen e arsimit me kushtet e tregut.
“Një nga problemet madhore dhe sfidat e mëdha është përshtatja e arsimit me tregun. Kjo përshtatje kalon së pari, nëpërmjet fuqizimit dhe drejtimit profesional të tij. Arsimi profesional ka një rënie të madhe, por këto vitet të fundit ka marrë kthesën e vërtetë reale”, është shprehur Berisha. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e zhvillimit të sektorit privat në fushën e arsimit. “Një nga drejtimet themelore është dhe duhet të mbetet thellimi progresiv dhe i shpejtë i kontributit, pjesëmarrjes dhe rolit të sektorit privat në fushën e arsimit. Kjo është dhe mbetet një nga drejtimet më të rëndësishme për garantimin e cilësisë dhe zhvillimin e këtij sistemi. Duke studiuar praktikat më të mira të sektorit arsimor privat, me kurajë ne duhet të ecin drejt kësaj rruge,” u shpreh Kryeministri.
31 Korrik 2008