E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama : Kashari?! Shumë zhurmë për asgjë



Ka reaguar për herë të parë Kryesocialisti Rama lidhur me zgjedhjet në Kashar, ku Partia Socialiste u rendit e fundit. “Me keqardhje më duhet të nënvizoj diçka, që në një demokraci normale, mes forcash politike të pjekura e të përgjegjshme për ato që i thonë publikut, nuk do të qe hiç e nevojshme të nënvizohej. Por në kushtet tona është, për fat të keq, e pashmangshme. Për të mos lejuar, që inteligjenca e popullit të fyhet nga deklarata e konkluzione joserioze, të cilat synojnë çoroditjen dhe manipulimin e opinionit publik me çdo kusht e me çdo mjet, është e udhës të thuhen sot, pas zhurmës së panevojshme dy fjalë thjeshtësisht të vërteta. Kashari nuk ishte kurrfarë testi për forcat politike shqiptare, por një garë lokale, mes katër individësh, të respektuar, të një komuniteti, të cilët ndanë mes tyre 7200 vota për të plotësuar vendin bosh të kreut të komunës”, - ka deklaruar Rama. Sipas tij të dalësh e të thuash se rezultati i kësaj gare ka të bëjë me reformat e qeverisë apo me arritjet e saj në rang vendi, kjo do të thotë të jesh një kryeministër në pikë të hallit. “Kurse të dalësh e të thuash se renditja në këtë garë individuale, mes katër banorëve të Kasharit, që konkurruan brenda komunitetit të tyre dhe jashtë kalendarit apo temave të ballafaqimit politik të vendit, na qenka pasqyra e sotme e renditjes së partive shqiptare në nivel kombëtar, do të thotë të mos kesh asnjë respekt, jo vetëm për të vërtetën e për publikun, po edhe për veten”, - është shprehur Rama. sKryesocialisti shprehu keqardhje për pompozitetin e kotë me të cilin, kryeministri Sali Berisha dhe kreu i LSI-së Ilir Meta, rendën të nxjerrin konkluzione triumfale. “Madje qoftë kryeministri qoftë ish-kryeministri u ngutën të lajnë me Partinë Socialiste hesape, që pa asnjë dyshim do t'i bëjmë, por vetëm në kohën e në vendin e duhur: Në vitin 2009, në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë le të bëjmë gati sistemin e ri zgjedhor, që do të hyjë në funksion në vitin 2009, duke e mbyllur me Kasharin kapitullin e shëmtuar të sistemit të vjetër, që edhe të dielën në Kashar, nxori nga kutitë më shumë vota sesa numri i votuesve, shpërndau afro 500 certifikata të reja deri në fund të ditës së votimit, pa llogaritur një prurje certifikatash nga një komunë tjetër, derdhi rrugëve e kafeneve të fshatit tërë shpurën e ministrave të shoqëruar nga shpurat e tyre vetjake dhe hodhi në qarkullim para nën dorë për blerje masive votash”, - është shprehur Rama. Kryesocialisti ka deklaruar se gara e vërtetë do të zhvillohet me një sistem të kontrolluar zgjedhor dhe në garancinë e kartave të identitetit. Le të bëjmë gati kartat e identitetit, të rikonceptojmë pa humbur kohë administratën zgjedhore dhe të garantojmë me ligj transparencën e financimit të fushatës e pastaj t'ua lemë në dorë 3 milion e 100 mijë shqiptarëve të na rendisin lirisht në listën e preferencave të tyre. Pastaj flasim”, - tha Rama.

31 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›