Beja premton se do të garantojë transprancën e MASH-it
Pas betimit në Presidencë, ministri i ri i Arsimit Fatos Beja, në daljen e tij të parë publike si ministër u angazhua para mediave se do të garantojë transparencën e veprimtarisë së MASH-it, gjatë gjithë periudhës që do të jetë në krye të saj. Po ndërsa Beja është ulur dje në karrigen e ministrit të Arsimit, ish-kreu i kësaj ministrie i ka dhënë dje lamtumirën këtij posti. Por edhe pse në daljen e tij të parë publike si ministër i Arsimit, Beja që në ditën e parë të punës e ka marë në dorë mirë situatën. Madje, ai ka folur edhe për zhvillimin që do të kenë disa çështjeve kryesore në arsim si: shpërndarja e teksteve shkollore, dhe çuarjen tej të reformave që kjo ministri ka nisur. Gjithashtu, kreu i ri i arsimit, ka shprehur hapur qëndrimin e tij kundër ndryshimit të emrit të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, duke theksuar se edhe nëse propozimi do të shkoj në MASH, ai nuk do të kalohet si vendim i Këshillit të Ministrave.
Betimi i ministrave, mungon Berisha e Topalli
Ministrat e rinj janë betuar gjatë paradites së djeshme pranë Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Gjatë ceremonisë së betimit në Presidencë është vënë re mungesa e kryeministrit Berisha dhe e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Ndërkohë që të pranishëm në ceremoninë e betimit të zëvendëskryeministrit, Genc Pollo, ministrit të ri të Arsimit, Fatos Beja dhe ministres së re të Shëndetësisë, Anila Godo ishin Kryetari i Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, Tritan Shehu, Nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Arsimit, Gëzim Karapici dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës. Pas ekzekutimit të hymnit kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, Presidenti i Republikës, Bamir Topi u dorëzoi anëtarëve të Këshillit të Ministrave dekretet e emërimit, duke u uruar suksese në detyrat e reja dhe të rëndësishme.
31 Korrik 2008