E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi-Topallit: Ky ishte sesioni më i errët i historisë së Kuvendit



Nënkryetari i LSI-së Pëllumb Xhufi ka hedhur dje poshtë rezultatet e shpallura nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli lidhur me sesionin e fundit parlamentar. “Kuvendi dështoi në angazhimin e detyrimin e tij për të realizuar para samitit të NATO-s në Bukuresht, 4 prill 2008, dy reformat themelore: reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi. E dyta pothuaj nuk ka filluar sot e kësaj dite. E para, reforma zgjedhore, e filluar si një marrëveshje përjashtuese e jashtëinstitucionale PS-PD, ndodhet sot në një udhëkryq të rrezikshëm. Seanca e fundit e 28 korrikut shpalli hapur dështimin në hartimin e kodit të ri zgjedhor, duke e shtyrë për kalendat greke këtë document themeltar për realizimin e zgjedhjeve korrekte të vitit 2009”,- tha Xhufi. Sipas tij në 21 prill të këtij viti, si rezultat i një kompromisi të pamoral e të paprinciptë të arritur jashtë parlamentit, një shumicë amorfe deputetësh miratoi qorrazi ndryshimet kushtetuese. “LSI ka deklaruar se ndryshimet me puç të kushtetutës, jo vetëm që nuk i ndihmojnë stabilitetit politik, por duke goditur institucionet dhe equilibret institucionalë, krijojnë premisat për destabilitet politik permanent. Ndryshimet kushtetuese janë njolla e zezë, që damkos në mënyrë të pakthyeshme integritetin e historinë e këtij parlamenti.Në dhjetor të vitit 2007 “Progres Raporti” i Komisionit Evropian e kritikoi rëndë Kuvendin e Shqipërisë, posaçërisht shumicën parlamentare, për kalimin e shpejtë, pa ekspertizë e në mënyrë të njëanshme të ligjeve, që I shërbejnë axhendës politike afatshkurtër të saj. Shumica nuk ka dashur t’i vërë veshin një kritike të tillë”, - theksoi Xhufi. Më tej ai ka shtuar se gjatë këtij sesioni, me shumicë votash kanë kaluar ligje e amendime të pafundme ligjore, pas të cilave fshihen interesa okulte të grupeve të fuqishme ekonomike e të segmenteve politike të lidhura me to. “Sesioni që lamë pas filloi me votimin nga shumica, e ligjeve për ndërtime fabrikash me impakt të tmerrshëm ambiental, dhe përfundoi me amendime të Ligjit për RTV dhe Për Sportin, që lejon tjetërsimin e aseteve të RTVSH dhe të terreneve sportive, në favor të grupeve me mbështetje politike. Tragjedia kombëtare e Gërdecit, zbuloi qartë se qeveria Berisha, duke shfrytëzuar shumicën parlamentare dhe pavarësisht nga kundërshtimi i fortë i opozitës, kishte kaluar për qëllime korruptive e kriminale Ligjin mbi përfshirjen e kompanive private në tregtinë e armëve, që shtroi infrastrukturën ligjore për krimin shtetëror të Gërdecit”, - tha Xhufi.

31 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›