E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo, licenca e dytë 3G, çmimi dysheme 12,5 mln euro

SHKRUAN: Sabina Veizaj 09-06-2011 11:49

Kompanitë e telefonisë së lëvizshme që operojnë në Shqipëri do t’i nënshtrohen garës për të marrë licencën e dytë 3G, pas asaj që mori kompania Vodafone. Ndërsa tenderi i hapur do të shpallet në ditët në vazhdim nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike. Ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo ka bërë dje publike autorizimin e garës për një licencë të dytë 3G, me çmimin dysheme 12.5 milionë euro. Do te jetë Enti Rregullator i Komunikimeve AKEP, i cili do të ndjekë procedurat e do të shpallë fituesin. Ndërsa, kushtet ligjore e teknike për të garuar për licencën e dytë 3G janë po ato të garës për licencën e parë 3G, që u hap në vjeshtë të vitit të kaluar. Sipas Pollos, përdorimi i teknologjive të brezit të tretë (të njohura si 3G apo Third Generation) nga kompanitë celulare, sjell një kapacitet shumë më të lartë në transmetimin e të dhënave në telefonat e pajisjet celulare dhe rrit shumë herë shpejtësinë e internetit në këto aparate. Në këtë mënyrë, tha Pollo, duke aplikuar teknologjitë 3G, hidhet një hap tjetër i rëndësishëm në realizimin e projektit Shqipëria Digjitale. Në të njëjtën kohë, licenca e dytë do t’i hapë rrugë liberalizimit të mëtejshëm të këtij tregu, duke mos qenë monopol i një kompanie të vetme. Pritet që pas dhënies së licencës së dytë 3G, pasi të studiohet ecuria e saj në harkun kohor të gjashtë muajve, me synim liberalizimin e plotë të këtij tregu, të jepen edhe dy licencat e tjera 3G për dy kompanitë e tjera të telefonisë së lëvizshme. Aktualisht në Shqipërinë operojnë 4 kompani të telefonisë së lëvizshme, AMC, Vodafone, Eagle Mobile dhe Plus. Licencën e parë 3G e fitoi Vodafone me 31.4 milionë Euro në nëntor të vitit 2010.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›