Qeveria rrit dietat për nëpunësit e institucioneve buxhetore
Sipas vendimit, dietat nuk do të jenë më shumë se 2500 lekë më ditë. Nga ky vendim i qeverisë përfitojnë të gjithë nëpunësit buxhetorë
Eljona Ballhysa
Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit rritjen e masës financiare të dietave të nëpunësve të institucioneve buxhetore që dërgohen më shërbim jashtë vendbanimit të tyre. Vendimi i ri sjell ndryshime të vendimit të qeverisë të vitit 2001 dhe ndikon në masën financiare që përfitojnë nëpunësit e administratës shtetërore dhe të të gjithë institucioneve të tjera që financohen nga buxheti i shtetit. Në bazë të vendimit, shuma e dietës ditore nuk do të jetë më e madhe se 2500 lekë të rinj. Në rast se përshihet dhe fjetja, atëherë dita do të jetë 3000 lekë. Ndërsa përsa i përket udhëtimit, do të paguhen në vlerën e biletës së transportit hekurudhor ose do të marrin vlerën e biletës së autobusit. Në rast se nëpunësit do të zgjedhin taksinë, masa financiare që do të marrin do të jetë e njëjtë sa një biletë treni apo autobusi, dhe jo sa ka kushtuar udhëtimi me taksi.
Vendimi
Kur punonjësit e ndërmarrjeve dhe të institucioneve që financohen nga buxheti i shtetit shkojnë më shërbim jashtë qendrës së tyre të punës dhe kthehen brenda ditës në vendbanimet e tyre, përfitojnë dietë në masën 10% të pagës, por jo më shumë se 2500 lekë në ditë nga 2000 lekë që ka qenë parashikuar në vendimin e mëparshëm të qeverisë. Këta nëpunës, në bazë të vendimit të qeverisë, përfitojnë shpenzime fjetjeje sipas dokumenteve të paraqitura që e vërtetojnë atë, por jo më shumë se 3000 lekë për çdo natë. Në vendim është parashikuar gjithashtu që këta nëpunës të përfitojnë shpenzime për udhëtimin sipas vlerës së biletës së udhëtimit me transport hekurudhor, automobilistik dhe ujor. Kur udhëtimi bëhet me taksi apo me furgonë, shpenzimet e udhëtimit paguhen sipas çmimeve të miratuara për linjën përkatëse me tren, autobus ose anije, plus 25% të çmimit të biletës së transportit të linjës me autobus në ato raste kur nuk ka linjë autobusi apo treni.
Në vendim është parashikuar se personave që nuk janë në marrëdhënie pune dhe dërgohen me shërbim, dieta u paguhet nga urdhëruesi i shërbimit në masën 2000 lekë në ditë, si dhe shpenzimet e tjera, pra udhëtimi në masën e biletës së trenit apo autobusit.
Punonjësit e institucioneve që financohen nga buxheti i shtetit kur shkojnë me shërbim jashtë qendrës së tyre të punës, për rastet kur përfitojnë dietë dhe kthehen brenda ditës, jashtë kohës normale të punës, përfitojnë dietë në masën 1000 lekë në ditë, nga 600 lekë që ka qenë parashikuar në vendimin e mëparshëm. Vendimi parashikon se në rast se shërbimi kryhet në zona që janë 100 km larg nga qendra e punës, nuk paguhet dietë.
Vendimi i ri nuk parashikon ndryshim për studentët universitarë, parauniversitarë dhe nxënësve e kursantëve të shkollave të ndryshme, me ose pa bursë, kur dërgohen me shërbime të ndryshme: si praktika mësimore, ekspozita, shërbime me karakter mësimor etj. Në bazë të vendimit, atyre u paguhet dietë në masën 900 lekë në ditë.
Ndërsa sportistët, trajnerët, gjyqtarët sportivë jovendas, për veprimtaritë që zhvillohen ndërmjet rretheve, përfitojnë dietë në bazë të vendimit të ri, pra 2500 lekë për shërbim njëditor larg vendbanimit dhe 3000 lekë për çdo natë larg vendbanimit.
Sportistët e zonave të largëta, që nuk mund të kthehen brenda ditës, përfitojnë dietë në masën 700 lekë në ditë, si dhe shpenzimet e udhëtimit dhe të fjetjes.
Çiklistët për garat më të gjata se 50 km, vozitësit për garat më të gjata se 5 km, notarët, peshëngritësit, maratonistët dhe alpinistët, gjatë ditëve të veprimtarive sportive marrin, përveç dietës, edhe një shtesë prej 400 lekësh në ditë. Artistët e institucioneve kulturoro-artistike, kur shkojnë me shërbim për dhënie shfaqjesh jashtë rrethit, përfitojnë dietë në masën 2500-3000 lekë. Për veprimtaritë kulturore me sistem grumbullimi, për konkurrim olimpiade, festival filmash dhe teatro profesioniste, masa e dietës të jetë 2000 lekë në ditë.
Alibali: “Bashkia e Tiranës, proces selektiv për mbledhjen e taksave”
Zëvendësministri Neritan Alibali ka akuzuar dje Bashkinë e Tiranës për procedura selektive për mbledhjen e taksave vendore. Sipas nënkryetarit të Partisë Republikane, në listën e publikuar nga Bashkia e Tiranës bënin pjesë vetëm emrat e përfaqësuesve të maxhoranës dhe asnjë emër nga opozita. Sipas tij, kjo tregon për proces selektiv dhe për përdorimin e detyrimit ligjor të pagesës së taksave si një mjet politik për të sulmuar maxhorancën. “Disa ditë më parë, Bashkia e Tiranës publikoi në media një listë me emra funksionarësh të lartë, të cilët nuk kishin paguar taksat vendore. Në këtë listë ishte i përfshirë edhe emri im. Pavarësisht se nga strukturat përkatëse të Bashkisë nuk ka ardhur kurrë në adresën e shtëpisë sime një faturë detyrimesh për t’u paguar, prapëseprapë unë e pranoj faktin dhe kërkoj ndjesë publike. Si pjesë të ndjesës sime, deklaroj para jush se sapo u njoftova, i pagova menjëherë të gjitha taksat që i detyrohem Bashkisë së Tiranës, duke e konsideruar këtë një detyrim ligjor parësor si qytetar dhe si funksionar i lartë publik. Nga ana tjetër, kjo ngjarje më bëri të njoh mekanizmin e ngritur nga Bashkia e Tiranës për mbledhjen e taksave të qytetarëve. Sistemi i mbledhjes së taksave po përdoret nga Bashkia e Tiranës si armë në luftën politike kundër maxhorancës. Jo më kot lista e publikuar nga Bashkia përfshinte vetëm funksionarë të lartë të administratës shtetërore. Kjo e bën të pabesueshëm, tendencioz, selektiv dhe qëllimkeq shqetësimin e Bashkisë për mospagimin e taksave”, - është shprehur Alibali.
23 Dhjetor 2009