E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo njofton Kuvendin: Mjekët e ndërprenë grevën

Zv/kryeministri Pollo informoi sot deputetët në seancën e radhës në Kuvend për negociatat e zhvilluara mes qeverisë dhe përfaqësisë së profesorëve të QSUT-së, të cilët dje paraditë u hodhën në një grevë treditore 

TIRANË- Zv/kryeministri Genc Pollo tha të enjten në Kuvend se shërbimi spitalor në Qendrën 'Nënë Tereza' në Tiranë, ka rinisur normalisht sot pas negociatave me mjekët e kësaj qendre mbrëmjen e kaluar.
Zv/kryeministri Pollo informoi sot deputetët në seancën e radhës në Kuvend për negociatat e zhvilluara mes qeverisë dhe përfaqësisë së profesorëve të QSUT-së, të cilët dje paraditë u hodhën në një grevë treditore, në shenjë proteste, pas ngjarjes së rëndë të plagosjes së mjekut Agron Ylli, nga një qytetar tashmë i arrestuar. Pas këtyre negociatave u ra dakord që mjekët të ndërpresin grevën dhe rifillojnë nga puna.
"Mjekët e QSUT-së kërkuan mbrojtje ligjore dhe dënim më të ashpër ndaj akteve të dhunës të ushtruar ndaj bluzave të bardha. Së bashku me ministren e Shëndetësisë, Anila Godo ramë dakord që të ngremë një grup pune për një reformë ligjore që mund të realizohet në janar të 2009. Profesorët vendosën që shërbimi në QSUT të rifillojë menjëherë, pasi ndërprerja e shërbimit spitalor rëndon jetën dhe shëndetin e pacientëve".
Ai vuri në dukje se megjithëse ka një kategori të respektuar mjekësh që kryejnë detyrën e tyre me përgjegjësi, ne jemi të ndërgjegjshëm se ka elementë që abuzojnë në spitalet publike.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›