E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolaudimi, pse u eliminua kompania gjermane nga gara



Subjektet që morën pjesë në garën për kolaudimin e automjeteve, ajo franceze dhe ajo zvicerane, janë dy nga tre subjektet e parakualifikuara në procedurën konkurruese. Subjekti i tretë i parakualifikuar, kompania gjermane “TUV-SUD”, më datë 12.12.2008, mbi 90 ditë pasi kishte tërhequr dokumentacionin standard të tenderit dhe 1 javë para afatit final për hapjen e ofertave, kërkoi zyrtarisht ndryshimin e kritereve të përzgjedhjes, respektivisht ndryshimin në pikët e vlerësimit. Një kërkesë e tillë bie në kundërshtim me legjislacionin shqiptar në fushën e koncesioneve dhe me parimet e ushtrimit të veprimtarisë së administratës publike, e cila, në përzgjedhje të kritereve për shpallje fitues, mban përgjegjësinë ligjore t’i përcaktojë ato në bazë të interesit publik. Me gjithë verifikimet e kryera, në orën 12.00 nuk rezultoi asnjë ofertë e dorëzuar nga përfaqësuesit e kësaj shoqërie në protokollin e Ministrisë dhe për më tepër dhe vetë përfaqësuesi u paraqit në proces pas orës 12:00 pa ofertë.

Shqipëria, sukses me reformat në tatime

Shqipëria renditet ndër vendet e para përsa i përket reformave që janë bërë në fushën e tatimeve gjatë vitit 2008. Të ardhurat tatimore janë shtuar me 20 për qind në krahasim me një vit më parë. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, ka deklaruar se me metodat e reja në këtë sektor tani është krijuar mundësia që vendet e rajonit të shkëmbejnë eksperiencat në shumë fusha me qëllim përsosjen e kësaj strukture. Mbi reformimin e kësaj administrate foli edhe ministri i Financave, Ridvan Bode: "Me anë të politikave të përdorura dhe përmirësimit të kuadrit ligjor, fitimi që shteti merr nga taksat është rritur ndjeshëm edhe pse shumica e taksave janë përgjysmuar, pasi tani taksat paguhen nga të gjithë”. Ambasadori amerikan në Shqipëri, John Uidhers, tha se gjatë kësaj periudhe ka parë ndryshime të vërteta në Shqipëri. Ai u shpreh: "Me një sistem tatimor me standarde të larta fitohet me sukses lufta kundër korrupsionit”. Ministri Bode bëri gjithashtu edhe prezantimin e disa objektivave që do t’u jepen prioritet në vazhdim, si zgjerimin e procedurave dhe sistemeve moderne të auditimit të taksapaguesve, forcimin e punës së burimeve njerëzore, si dhe përmirësimin e kapaciteteve për menaxhimin strategjik.

FMN: “Rimëkëmbja e ekonomisë së SHBA-ve, në fund të 2009-s”

“Ekonomia amerikane pritet të rimëkëmbet në fund të vitit 2009, edhe pse ky skenar nuk është i sigurt”, - deklaroi drejtori i Menaxhimit në FMN, Dominique Strauss-Kahn. Në një intervistë për shtypin spanjoll, ai tha se ekziston mundësia që ekonomia e SHBA-ve ta marrë veten në fund të vitit të ardhshëm ose në fillim të vitit 2010. Strauss-Kahn e bazoi këtë pikëpamje në hipotezën se tregu i banesave ka rënë shumë dhe si pasojë reagon ndaj stimujve fiskalë, por shtoi se mundësia për rikuperim është e mbushur me pasiguri. Rimëkëmbja nuk është e sigurt, sepse vazhdon ulja e çmimeve. Sipas ish-ministrit francez, Strauss-Kahn, “fillimisht duhet rikthyer stabiliteti dhe besimi në tregjet kombëtare financiare”. Ai kritikoi qeveritë se nuk po sigurojnë stimuj ekonomikë për të rritur besimin e konsumatorëve.

19 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›