Kryeprokurorja kërkon heqjen e imunitetit për Mediun
Luan Kondi
TIRANË - Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi në një konferencë për shtyp i ka kërkuar Kuvendit që t’i heqë imunitetin deputetit Fatmir Mediu, ish- ministër i Mbrojtjes. Kërkesa vjen pas shpërthimit të ndodhur në një fabrikë të çmontimit të municioneve në Gërdec të bashkisë së Vorës, në 15 mars të këtij viti, kur z. Mediu ishte në detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Kërkesa e Prokurores për heqjen e imunitetit u argumentua me dyshimet për shpërdorim detyre gjatë kohës që Mediu mbante detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Nga të dhënat e deritanishme, vijoi ajo, Mediu ka kryer një sërë shkeljesh gjatë ushtrimit të detyrës, ndër të cilat shmangia e Forcave të Armatosura në procesin e demontimit. “Dy kompanitë që administronin fabrikën e çmontimit të municioneve ishin të palicencuara”, tha Rama. “Për këtë arsye z. Mediu duhet të ndiqet penalisht. Ndaj kemi depozituar në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të z. Mediu”, tha kryeprokurorja Rama.
Shkeljet
Sipas deklaratës së Ina Ramës, i gjithë procesi i demontimit ka ardhur në sajë të urdhërimeve të dhëna nga ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe shpërfilljes se rregullave që duhet ta shoqëronin atë. Disa nga shkeljet e konstatuara janë lejimi i nënshkrimit të kontratave me 2 firma të palicencuara për procesin e demontimit me shkelje të akteve ligjore. Përzgjedhja e gabuar e vendit të demontimit duke rrezikuar jetën e personave që punonin dhe banonin në Gërdec dhe duke shkelur rregulloren e Ministrisë së Mbrojtjes së vitit 2003. Lejimi i shkeljeve të rregullave që shoqërojnë procesin e demontimit duke rrezikuar jetën e personave që punonin aty. Shpërfillja e procedurave ligjore të nënshkruara prej tij për demontimin e municioneve. Shmangia e Forcave të Armatosura nga mbikëqyrja e mëtejshme e procesit të demontimit.
Është lejuar demontimi i kalibrit të madh. Është lejuar SAC dhe ALBA DEMIL për dhënien e lejeve të demontimit dhe eksportimit te municioneve.
Pista
Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka hedhur poshtë versionin se shpërthimi ne fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec ka ardhur si pasojë e vënies së zjarrit me qëllim. Gjatë deklaratës së saj në lidhje me hetimet e deritanishme Ina Rama ka deklaruar se është konkluduar se zjarri ka ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave për municione dhe demontim të tyre. “Pas hetimeve të vazhdueshme, pas shume dëshmive dhe ekspertizave ne vendin e ngjarjes ka rezultuar se shpërthimi i 15 marsit në Gërdec ka ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave të demontimit”, ka deklaruar Ina Rama para mediave. Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Pas nisjes së hetimeve për ngjarjen e Gërdecit, ku Mediu dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, tashmë kryeprokurorja Ina Rama ka kërkuar heqjen e imunitetit te Mediut. Lajmi është konfirmuar nga burime të Kuvendit të cilët kanë saktësua se kërkesa për heqjen e imunitetit është dorëzuar sot në Kuvend. Në këtë kërkesë Ina Rama ka deklaruar se shkak për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut janë hetimet për ngjarjen e 15 marsit në Gërdec.
Abuzimi me trojet në Kashar, prokuroria hetim në hipoteka
Tiranë - Hetimet për abuzimet me trojet në Komunën e Kasharit, janë shtrirë edhe në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë. Hetues në Njësinë Antikorrupsion “Task Force” në Prokurorinë e Tiranës, bënë të ditur të premten për ATSH-në, se hetimet mund të ngarkojnë me përgjegjësi penale edhe punonjës të Hipotekës, të cilët janë marrë me regjistrimin e trojeve në Komunën e Kasharit. Grupi hetimor po verifikon praktikën e ndjekur për regjistrimin e këtyre pronave që mendohet se janë tjetërsuar përmes falsifikimit të akteve të pronësisë për qëllime përfitimi nga ish-drejtues të kësaj Komune dhe bashkëpunëtorët e tyre. Hetimet kanë hedhur dritë mbi përvetësimin në mënyrë të paligjshme të ngastrave të tokës në Komunën e Kasharit dhe shitjen e tyre për qëllime përfitimi te individë të ndryshëm apo biznese. Nga të dhënat hetimore rezulton se ish-funksionarët e kësaj Komune në bashkëpunim me të tjerë, të besuarit e tyre, falsifikonin aktet e pronësisë mbi tokat dhe me pas i regjistronin në Hipotekë. Trojet me dokumentacion të falsifikuar i shiteshin më pas të interesuarve për qëllime përfitimi dhe gjithçka bëhej në kurriz të pronarëve të vërtetë të tokës. Për llogari të hetimeve rreth kësaj çështjeje u arrestuan para tre ditësh edhe dy përfaqësues të Komunës së Kasharit, Bashkim Kusi, 45 vjeç si dhe Ruhi Valiasi, 46 vjeç, kryeplak i fshatit Kashar 2. Sipas hetuesit, këta persona dyshohen se kanë qenë bashkëpunëtorë me ish-funksionarë e Komunës së Kasharit, të cilët u arrestuan në dhjetor të vitit të kaluar në Tiranë. Nga të njëjtat burime mësohet se prokurorët e Tiranës kanë administruar edhe shumë deponime nga banorë të kësaj komune, të cilët pretendojnë se u janë tjetërsuar pronat.
Ndoka, Mbështetja britanike për modernizimin e sistemit shëndetësor
Tiranë - Shqipëria do të ketë mbështetjen e qeverisë Britanike për ecurinë e reformave dhe modernizimin e sistemit shëndetësor në vend. Ky është premtimi që ka marrë Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, gjatë vizitës së tij në Angli, në takim me Ministren e Shëndetësisë, Primarolo. Ministri Ndoka informoi për reformat e ndërmarra në sistemin shëndetësor shqiptar, në kuadër të kalimit nga modeli i vjetër në një model të ri organizimi e financimi, të krahasueshëm me vendet e zhvilluara europiane. Ndoka vlerësoi se Britania e Madhe është një vend mik i Shqipërisë dhe një partner shumë i rëndësishëm në përpjekjet tona për zhvillimin dhe modernizimin e vendit. Dy ministrat folën më pas për probleme konkrete të bashkëpunimit aktual dhe të ardhmes, duke evidentuar vullnetin politik të përbashkët për thellimin e këtij bashkëpunimi. Konkretisht, u ra dakord për ekspertizë dhe bashkëpunim në fushën e monitorimit dhe të vlerësimit të ofrimit të shërbimit shëndetësor; në mënyrën e mbledhjes, përpunimin dhe vënies në dispozicion të ofruesve të shërbimit (qendrave shëndetësore) të informacionit shëndetësor; në mbikëqyrjen e brendshme dhe inspektimin e jashtëm; për udhëzuesit e praktikës mjekësore, si dhe për bashkëpunimin midis strukturave shëndetësore dhe atyre të Sigurimeve Shëndetësore. Ministrja Angleze e Shëndetësisë zonja Primarolo, pasi falënderoi ministrin Ndoka për vizitën dhe prezantimin me detaje të sistemit shëndetësor të Shqipërisë, u shpreh se dikasteri që ajo drejton është i gatshëm të bashkëpunojë me palën shqiptare në fushën e shëndetësisë.
26 Prill 2008