E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria me pagesë, pranohen edhe femra



Emanuela Sako

Të rinjtë që kanë pasion punën në ushtri dhe ata që nuk kanë mundësi punësimi, kanë nisur aplikimin për t’u bërë pjesë e ushtrisë shqiptare kundrejt pagesës. Tashmë ka nisur plotësimi i formularëve dhe përzgjedhja e tyre. Një ndër kriteret kryesore është arsimi, por dhe aftësitë fizike. Kështu, të gjithë aplikantët, pas plotësimit të formularit me të gjitha të dhënat pranë Qendrës së Rekrutim-Mobilizimit, do t’u nënshtrohen edhe një testimi për të vënë në provë aftësitë. Testimi do të përmbajë testin fizik dhe testin psikologjik, që do të zhvillohet nga specialistët e Qendrës së Personelit në Shkollën e Bashkuar. Deri tani, pranë Qendrës së Rekrutim – Mobilizimit në Tiranë kanë aplikuar rreth 118 persona. Nga këta 30 janë femra, të cilat kërkojnë përfshirjen në ushtrinë shqiptare profesioniste. Kështu, ka nisur rekrutimi i ushtarëve me pagesë, që do të shërbejnë në funksion të Ushtrisë në Republikën e Shqipërisë. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Ministria e Mbrojtjes dhe Qendra e Rekrutim-Mobilizimit në Tiranë ka filluar mbledhjen e këtyre ushtarëve, duke përhapur njoftime për ftesë të të gjithë të interesuarve. Gjithçka po realizohet në zbatim të Ligjit, Nr. 9171, datë 22.1. 2004 “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Republikën e Shqipërisë”, Udhëzim i Ministrisë së Mbrojtjes Nr.2, datë 12.2.2008, për përgjegjësitë, procedurat dhe mënyrat e rekrutimit të ushtarëve profesionistë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Për t’u bërë pjesë e ushtrisë janë përcaktuar disa kategori dhe kritere që do të përzgjedhin kandidatët. Disa nga kriteret për pranimin e kandidatëve janë mosha, arsimi dhe aftësitë. Në këtë përfshirje nuk përjashtohen femrat ushtare, përveç meshkujve.
Dokumentet
Për të mbledhur ushtarët me pagesë janë vendosur njoftime në disa institucione, me anë të të cilave kërkohet që të vihen në dijeni të rinjtë e interesuar. Ndërkohë, ata që kërkojnë të aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm pranë Qendrës së Rekrutim – Mobilizimit në Tiranë. Kandidatët për ushtarë profesionistë duhet të paraqesin pranë kësaj qendre 9 dokumente. Këto dokumente janë: vërtetim nga gjykata, vërtetim nga prokuroria, certifikatë personale me fotografi, certifikatë familjare, certifikatë mjekësore e Spitalit Ushtarak, dëftesë e shkollës së mesme ose të lartë (fotokopje e noterizuar), dokumentacione të tjera kualifikimesh të noterizuara, kërkesë personale dhe dy fotografi (9x12). Ndërsa ata që nuk e kanë kryer ushtrinë dhe do të jenë ushtarë aktivë, kurse pas 5 javëve do të jenë ushtarë profesionistë, do të kryejnë vizitat mjekësore në Qendrën e Rekrutim - Mobilizimit.
Formulari
Pas dorëzimit të dokumentacionit të plotë, kandidatët do të plotësojnë formularin e aplikimit. Në këtë formular janë të përfshira të gjitha të dhënat e kandidatit, si dhe pozicionet e punës ku dëshiron të punojë aplikanti. Më pas, në bazë të nevojave për profesionistë në profile të ndryshme që ka ushtria, bëhet përzgjedhja e aplikantëve në një pozicion pune. Formulari dorëzohet brenda një date të caktuar, pasi në datën 20 të çdo muaji bëhet testimi fizik dhe psikologjik (i përgjithshëm). Ata që përzgjidhen i nënshtrohen 5 javë stërvitje dhe në Bonavi në qytetin e Vlorës, pa pagesë. Ndërsa pas mbarimit të stërvitjes paraprake, fillojnë efektet financiare.
Kushtet
Të gjithë ata persona që nuk e kanë kryer ushtrinë dhe që janë të moshës 19-26 vjeç dhe aplikojnë për ushtarë profesionist, do t’i nënshtrohen 5 javëve stërvitje, e cila do t’iu njihet si kryerje e ushtrisë së detyruar dhe do të njihen si ushtarak aktiv. Pas kësaj ata do të fillojnë të jenë në punë si pjesë e ushtrisë profesioniste shqiptare në pozicione të ndryshme. Ndërsa ata kandidatë që kanë kryer ushtrinë, detyrimisht do t’i nënshtrohen testimit dhe do të bëjnë 5 javë stërvitje, por do të njihen normalisht si ushtarë profesionist. Po kështu edhe për femrat, të cilat domosdoshmërisht do të kryejnë 5 javët e shërbimit bazë.
Kriteret
Kriteret e përcaktuara nga Ministria e Mbrojtjes do të jenë bazë në pranimin e ushtarëve që do të pozicionohen në forcat e ushtrisë në profile të ndryshme. Kështu, do të pranohen ushtarë të gjithë shtetasit e moshës 19 deri në 30 vjeç, që janë të aftë për t’u bërë pjesë e ushtrisë. Të gjithë kandidatët duhet të kenë minimalisht arsimin e mesëm dhe detyrimisht ata që kanë arsimin e lartë dhe kanë dëshirë të rekrutohen ushtarë profesionistë me pagesë për të shërbyer në njësitë e repartet prioritare të FA të RSH-së. Kandidatët që kanë mbaruar një fakultet kanë më tepër përparësi për t’u pozicionuar në një post në ushtri. Kandidatët duhet të paraqiten në Qendrën e Rekrutim - Mobilizimit në Tiranë, për të bërë aplikimin dhe më pas përzgjedhjen e tyre. Po kështu, kriter kryesor është edhe gjatësia, ku aplikantët duhet të kenë një gjatësi mbi 1 metër e 62 centimetra.
Pagesa
Të përzgjedhurit do të kenë pagë minimale shumën e 35 mijë lekëve, për meshkujt dhe femrat e rekrutuara ushtare. Më pas rritja e pagës presupozohet sipas gradave të fituara gjatë qëndrimit në detyrë. Kështu që kushdo që rekrutohet ushtar profesionist, siguron punësim e pagesë relativisht të krahasueshme me sektorë të tjerë të jetës civile, motivim për kryerjen e detyrës, Njëkohësisht, siguron mundësi kualifikimi brenda dhe jashtë vendit, mësim të gjuhës angleze, si dhe pjesëmarrje në misione paqeruajtëse brenda dhe jashtë vendit. Pjesëmarrja në ushtrinë profesioniste siguron aftësim në profesione të ndryshme.
Pozicionimi
Pozicionet e punësimit ku do të vendosen këto forca janë në pozicionet më të rëndësishme të ushtrisë shqiptare, ku deri sot janë mbuluar nga profesionistë me kualifikime dhe shkollim përkatës. Sipas njoftimit të nxjerrë nga Qendra e Rekrutim- Mobilizimit, punësimi i shtetasve kërkohet në Brigadën e Reagimit të shpejtë në Zall-Herr, Brigadën e Mbrojtjes Rajonale Tiranë, në Policinë Ushtarake Sauk, Komanda Mbështetëse Tiranë, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes Tiranë, Brigada e Logjistikës Tiranë, si dhe në Brigadën e Xhenios Tiranë. Të gjitha këto hapësira apo pozicione do të jenë të hapura për rekrutët, të cilët do të profilizohen sipas nevojave të Ushtrisë në RSH.

Dokumentacioni
Vërtetim nga gjykata
Vërtetim nga prokuroria
Certifikatë personale me fotografi
Certifikatë familjare
Certifikatë mjekësore e Spitalit Ushtarak
Dëftesë e shkollës së mesme ose të lartë (fotokopje e noterizuar)
Dokumentacione të tjera kualifikimesh të noterizuara
Kërkesë personale dhe dy fotografi (9x12).

26 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›