Inflacioni, qeveria gati fondin e kontigjencës në rast rreziku
Ervin Koçi
Qeverinë shqiptare duket se e kanë zënë “ethet” e krizës ekonomike dhe inflacionit, që ka përfshirë së fundi të gjithë botën, veçanërisht vendet e varfra. Edhe pse pasojat nuk janë ndjerë akoma të forta në vend, qeveria ka nisur marrjen e masave “sforcuese”, të cilat kësaj here synojnë t’i paraprijnë krizës së mundshme të urisë. Sipas zëvendësministrit të Financave, Sherefedin Shehu, janë gati për vënien në veprim edhe fondet emergjente, të cilat mund të hidhen në qarkullim vetëm në raste krizash ekstreme. “Qeveria po e monitoron situatën e çmimeve dhe ka gati për çdo rast fondin e kontigjencës, i cili është në masën 3.4 miliardë lekë dhe parashikon që të vihet në veprim në rastin e rritjes së mëtejshme të presionit inflacionist”, - ka deklaruar zëvendësministri i Financave, Shehu. Ai ka vijuar më tej duke thënë se qeveria nuk do të ndërhyjë për momentin me masa shtesë për të normalizuar situatën inflacioniste në vend.
Rritja e çmimeve
Rritja e ndjeshme e çmimeve ka rënduar së tepërmi buxhetet e familjeve shqiptare. Qytetarët ankohen se, “nuk mund të blejnë asgjë tjetër, përveç ushqimeve jetike të përditshme”. Madje, edhe ato janë bërë shumë të vështira për t’u përballuar. Për të mos folur për ilaçet, veshjet apo nevoja të tjera bazë. E gjitha kjo ndodh në një kohë kur qeveritarët deklarojnë se ekonomia është e “shëndoshë” dhe nuk kërcënohet nga asnjë rrezik. Dy ditë më parë, ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi në parlament se “ekonomia jonë nuk vuan nga kriza dhe treguesit janë të stabilizuar”. Por edhe shifrat zyrtare tregojnë një realitet të kundërt nga ai që propagandohet. Inflacioni arriti muajin e kaluar nivelin 4.6 për qind, duke shënuar një rritje prej 1.9 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Rritje kanë pësuar jo vetëm çmimet e ushqimeve, por edhe produktet e tjera të konsumit. Gjithçka është pasqyruar me shtrenjtësim të kostos së jetesës në vend, një situatë që rëndon kryesisht mbi shtresat e varfra.
Rritja e pagave
Numri dy i Ministrisë së Financave deklaroi se në korrik do të bëhet rritja e premtuar e pagave dhe pensioneve nga 5 deri në 15 për qind, e cila do të kompensojë rritjen e çmimeve. Për zëvendësministrin e Financave, Shehu, rritja e çmimeve të mallrave të konsumit dhe shtrenjtimi i kostos së jetesës në vend nuk janë problematike. Kjo pasi, sipas tij, “luhatjet e inflacionit janë normale për një ekonomi në tranzicion si ajo shqiptare”. Sipas përfaqësuesit të Ministrisë së Financave, shqetësuese nuk janë as paralajmërimet e Bankës së Shqipërisë për një rritje të mëtejshme të inflacionit. Zëvendësministri Shehu ka përjashtuar edhe mundësinë e rritjes së presioneve inflacioniste nga fluksi i madh i investimeve publike, një tjetër shqetësim i ngritur nga banka qendrore. Sipas tij, “situata është nën kontroll dhe gjithçka është parashikuar në mënyrë të tillë që inflacioni të mos preket”.
Kriza ekonomike, bien shitjet e apartamenteve
Rritja e ndjeshme e inflacionit ka prekur edhe tregun e pasurive të paluajtshme, ku përfaqësues të agjencive imobiliare deklarojnë se kërkesat për blerje apartamentesh apo marrje me qira të tyre, kanë rënë ndjeshëm. Shkak, sipas tyre, është bërë rritja e çmimeve të mallrave të konsumit që ka kufizuar të ardhurat mujore të familjeve. Ndërkohë rritja e mëtejshme e çmimeve do t’i jepte një goditje serioze tregut të imobiliareve dhe ndërtimit në vendin tonë. Ky sektor konsiderohet si një nga më të rëndësishmit për ekonominë, për shkak të ndikimit që jep në rritjen ekonomike dhe nivelit të lartë të punësimit. Kriza e çmimeve e ka zanafillën së pari, në rritjen e çmimeve të produkteve energjetike dhe së dyti, në shtrenjtimin e ushqimeve për shkak të rritjes së disa produkteve bazë si drithërat, orizi, sheqeri, vajrat etj.
FMN-ja jep alarmin për rënien e ekonomisë europiane
Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon rënie të mëtejshme të ekonomisë shqiptare. Në një raport të fundit, FMN-ja ka evidentuar se kriza botërore e kredive dhe zymtësia e ekonomisë amerikane do të reflektohen në ekonominë europiane, përfshi këtu vendet në zhvillim, si Shqipëria. FMN-ja parashikon që rënia nga kriza e kredive do të kombinohet me forcimin rekord të euros dhe rritjen drastike të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, duke goditur inflacionin dhe rritjen ekonomike në të gjithë Europën. FMN-ja ka arritur në konkluzionin se këtë vit, prodhimi i brendshëm te ekonomitë e avancuara europiane do të rritet me 1.5 për qind nga 2.8 për qind që ishte në vitin 2007. Ndërsa për ekonomitë në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria, rritja ekonomike do të bjerë në 5.5 për qind nga 6.9 për qind që ishte një vit më parë. Për vendin tonë ky parashikim nuk është aspak pozitiv, pasi bëhet fjalë për një rënie në masën 0.5 për qind. Qeveria kishte parashikuar që këtë vit rritja ekonomike e vendit të ishte 6 për qind. Sipas raportit të FMN-së, vendet që do të preken më shumë nga kriza janë Britania dhe Spanja, që po shohin rënie në tregun e pasurive të patundshme. Por pasojat do të jenë të rënda edhe për Shqipërinë dhe vendet e Europës Lindore që kanë deficite dhe borxhe të mëdha të jashtme, gjë që ndikon në humbjen e besimit të investitorëve.
Licencimi i operatorëve të transportit urban, tani në dorë të vendorëve
Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, delegon të gjitha kompetencat e veta në fushën e licencimit të transportit rrugor të brendshëm, të mallrave dhe udhëtarëve tek autoritetet e pushtetit lokal dhe agjencive ekzekutive. Në mbështetje të politikave liberalizuese të qeverisë, MPPTT-ja ka bërë disa ndryshime në udhëzimin "Për kriteret dhe procedurat e lëshimit, pezullimit dhe heqjes së licencave, lejeve, certifikatave dhe autorizimeve për ushtrimin e veprimtarisë në transportin rrugor". Sipas saj, qëllimi i këtyre ndryshimeve është lehtësimi i mëtejshëm i procedurave të pranimit në treg të operatorëve në fushën e transportit të brendshëm rrugor. Nga këtej e tutje në MPPTT-ë do të qëndrojnë vetëm shërbimet që kanë të bëjnë me transportin ndërkombëtar të udhëtarëve, të cilat janë obligime të shtetit që burojnë nga marrëveshjet dypalëshe me shtetet respektive. Megjithatë edhe ky shërbim është tërësisht i liberalizuar dhe i pakufizuar. Sipas këtyre burimeve, legjislacioni kombëtar në fushën e transportit rrugor është në përputhje të plotë me direktivat dhe kornizën ligjore të BE-së.
26 Prill 2008