Kiev rriten masat e sigurise
Përpara startit të Euro 2012, përgatitjet në qendër të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, po kryhen me ritme të shpejta. Masat e sigurisë janë shtuar, ndërsa policia ka ngritur post-blloqe në rrugë, duke kontrolluar dokumentat e shoferëve.
“Do të jemi të lumtur ti mirëpresim të gjithë në kryeqytetin tonë. Do të jemi miqësore me të gjithë ata që do të na vizitojnë për Kampionatin Europian”, tha oficeri i policisë, Jakimçuk.
Në qendër të Kievit, në zonën pedonale është ndërtuar një zonë gjigande e tifozëve, me ekrane të mëdhenj që do të bëjnë të mundur që mijëra të apasionuarit e futbollit të argëtohen gjatë muajit qershor.
Disa vizitorë janë mahnitur nga përgatitjet, ashtu si muzikanti Hoze Fernandez nga Peruja, i cili deklaroi se “autoritetet ukrainase kanë bërë një punë të mirë, edhe pse koha në dispozicion nuk ishte e mjaftueshme dhe pati disa vonesa. Megjithatë, ata ia kanë arritur qëllimit që të përgatiten sa më mirë”.
Gjatë Euro 2012, tifozët dhe vizitorët pritet të pushtojnë sheshin “Pavarësia”, atë që cilësohet si zemra e Kievit, ku ka shumë shatërvanë dhe një statujë fluturuese të pavarësisë.
Hera e fundit që në këtë shesh janë mbledhur qindra-mijëra persona ka qenë në dimrin e periudhës 2004-2005, ku ai u bë pika e referimit për protestat e “Revolucionit Portokalli”. Gjatë asaj periudhe, Julia Timoshenko ka sulmuar ashpër me retorikën e saj Viktor Janukoviç, pas dyshimeve për mënyrën e zgjedhjes së tij si president e që u shoqërua me protestat e dhjeta-mijëra njerëzve.
Për ironi, kur kanë kaluar 7 vjet nga ajo periudhë, Janukoviç është në pushtet, ndërsa Timoshenko në burg, me akuza për shpërdorim detyre, ndërsa çështja e ish-kryeministres ka bërë që krerët e shumë vendeve të mëdha europiane të mendojnë bojkotin e Euro 2012.