E Diel, 1 Nëntor 2026

Poloni, protesta për vendin e varrimit të Presidentit



Partia qeverisëse në Poloni tha të mërkurën se zgjedhjet presidenciale mund të mbahen më 20 qershor, ndërsa në vend janë rritur protestat mbi vendin e zgjedhur për varrimin e çiftit presidencial Kaczynski. Disa polakë kanë reaguar shumë të zemëruar nga planet e shpalosura të martën, për të varrosur Presidentin e ndjerë dhe bashkëshorten e tij, Maria, në katedralen Vavel në Krakov, një vend i rezervuar për heronjtë kombëtarë, poetët dhe mbretërit. Protesta për këtë janë bërë në disa qytete polake. Sipas analistëve, ky reagim ishte shenja e parë e përçarjes kombëtare që do të ndodhë në këtë vend pas vdekjes së Presidentit. Lech Kaczynski me një grup zyrtarësh të tjerë të lartë politikë e ushtarakë humbi jetën pas rrëzimit të avionit në Smoleks, në perëndim të Rusisë, ndërsa po shkonte për të përkujtuar 22 mijë oficerët e vrarë nga shërbimet sekrete sovjetike, para 70 vitesh në masakrën e Katinit. Një skuadër me ekspertë të përbashkët nga Rusia dhe Polonia, e ngritur për rrëzimin e avionit më 10 prill, doli në përfundimet e para se aksidenti nuk ka ndodhur për shkaqe teknike. Skuadra polake do të japë përfundimet e saj në fund të javës. Gjashtëdhjetekatër viktima të aksidentit janë identifikuar, sipas një deklarate të ministrit rus të emergjencave, në orën 6 të mëngjesit me orën ruse. “30 trupa janë bërë gati të kthehen në Poloni”, tha zëdhënësi i Ministrisë ruse të Shëndetit për “Reuters”. “Avioni, Tupolev Tu-154, u rrëzua në përpjekjen e tij të parë për të aterruar”, ka shkruar gazeta “Wyborcza”, duke cituar Zbigniew Rzepa, një prokuror ushtrie i cili ka rishikuar regjistrimet e “kutive të zeza” të avionit. Ai i ka mohuar raportimet e para se piloti ka bërë më shumë se sa një përpjekje për t’u ulur në pistë. “Dëmtimi i zërave dhe të dhënave të fluturimit nuk do të bllokojë përpjekjet për të rigjetur përmbajtjen e tyre”, tha Rzepa për kanalin polak të lajmeve TVN24. “Hetimet ruse kanë përjashtuar dëmtimet e motorit dhe zjarrin në bord”, tha zv/kryeministri rus, Sergei Ivanov. Anëtarë të “Air Force” në Poloni, të njësisë së transportimit VIP, kanë deklaruar se nuk ka mundësi që piloti me përvojë i avionit, Arkadiusz Protasiuk, të ketë qenë nën presion për t’u ulur në kushte të pasigurta. “Ai ishte i mirëtrajnuar dhe dinte të thoshte ‘jo’”, raportoi gazeta “Wyborcza”, duke cituar një pilot të mbetur anonim. Numri i viktimave nga aksidenti mbetet 96.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›