Treni i emigrantëve,6 ndalesa në stacionet italiane
Duar të zgjatura që kërkojnë të kapin të pakapshmen, sy që shikojnë nga perëndimi dhe shumë ëndrra. Një tren i çuditshëm mallrash lëviz në binarin e parë të stacionit. është një tren kujtese, që i dedikohet historisë, fytyrave, zërave, të gjithë burrave dhe grave që lanë tokën e tyre, në kërkim të një jete më të mirë. “Migranti”, kështu titullohet ekspozita fotografike, e cila u zhvillua në Itali, përgjatë një muaji, në përkujtim të të gjitha eksodeve të shek.XX, të ndodhura në vendin fqinj, në vendet e Evropës Lindore e Qendrore, si dhe eksodi shqiptar, dëshmitë e të cilit vinin përmes punëve të artistëve më në zë shqiptarë, në emigracion, si Adrian Paci, Alfred Mirashi, Parlind Prelashi e Artan Shabani. Por “Migranti” nuk është një ekspozitë si gjithë të tjerat. Ajo është instaluar në një tren të vjetër mallrash me dymbëdhjetë vagonë, i cili bëri ndalesën e vet në 6 stacione italiane. Rrugëtimi nisi në Leçe, në muajin shkurt, për të vijuar rrugëtimin në Brindizi, Taranto, Bari, Foxhia, Piemonte për të përfunduar në Torino Porta Nova, në fund të marsit.
“Migranti” u ideua nga laboratori i komunikimit dhe projekteve kulturore “Farm”, që në vitin 2006 realizoi projektin “Treni i kujtesës” dhe është fryt i kërkimeve disa vjeçare, pasi udhëtimet, qëndrimet, kanë lënë gjurmë historike, letrare e fotografike. Emigrim do të thotë më së shumti zhvendosje, lëvizje, madje deri diku edhe pak jetë nomade dhe treni është një nga simbolet e tij. është përdorur nga miliona puliezë, për të arritur në fillim të shekullit për të arritur Portin e Napolit, për t’u nisur më pas drejt Amerikës e pasluftës, për të arritur në Belgjikë, Francë, Gjermani, Zvicër. është përdorur nga shqiptarët që u nisën nga të gjitha anët e vendit në drejtim të Portit të Durrësit, nga ku do të merrnin anijet për në bregun përballë.
Për këtë arsye, ekspozita, në bashkëpunim me hekurudhat shtetërore, është vendosur brenda një treni mallrash, me 12 vagonë, që transformohet në një hapësirë ekspozuese prej 440 metrash. Janë më shumë se 300 dëshmitë fotografike, që vijnë nga muzetë, arkivat historike, institutet, fondacionet, në krah të të cilave rrinë fotografitë e realizuara nga artistë e fotoreporterë. “Treni i emigrantëve përfaqëson një dëshmi me vlera të jashtëzakonshme historike. Sektori i Kulturës dhe Arsimit të Provincës së Brindizit e ka për detyrë dhe kënaqësi njëkohësisht, të mbështesë një projekt që ngre pyetje në lidhje me rrënjët tona. Emigracioni italian në Evropë, Amerikë, emigrimi i popullsisë jugore në Italinë veriore, eksodi në Pulia nga vendet e Afrikës së Veriut dhe nga Evropa Lindore janë fenomene të vazhdueshme. Janë të “këqija” të hershme dhe moderne, që shpesh kanë shkaktuar vuajtje të jashtëzakonshme, së bashku me histori të integrimit dhe të solidaritetit”, u shpreh në hapje të ekspozitës Paola Baldassarre, këshilltare për kulturën në Brindizi. Zërat e aktorëve puliezë Michele Placido, Sergio Rubini, Mario Perrotta e Cosimo Cinieri, shoqëronin vizitorët gjatë ekspozitës, së ndarë në tre seksione.
Artistët shqiptarë
Një kontribut me vlera të veçanta simbolike kanë dhënë artistët shqiptarë Adrian Paci, Alfred Mirashi, Parlind Prelashi, Artan Shabani, të cilët e kanë jetuar në lëkurën e tyre eksperiencën e migrimit. Massimo Guastella, profesor i Historisë së Artit Bashkëkohor të Universitetit të Salentos, ka marrë pjesë në mënyrë aktive në projektin “Migranti” dhe ka organizuar një takim me dy nga artistët shqiptarë, Alfred Mirashi Milot dhe Perlind Prelashi, të zbarkuar pikërisht në Brindizi, në 1991-shin dhe sot jetojnë në Firence. Parlind Prelashi u prezantua në ekspozitë me një video të titulluar “Me titull”, që tregon për një darkë multikulturore mes miqsh shqiptarë dhe italianë, në pamje të parë të gjithë njësoj (të mbështjellë me çarçafë ngjyrë rozë e të kaltër, ngjyrat e fëmijërisë), gjatë të cilës dalin në pah batutat bajate, paragjykimet dhe klishetë. Një reflektim që të shtyn drejt bashkëbisedimit dhe njohjes së vështirësive të emigrantëve, që e gjejnë veten në një ambient të ndryshëm nga ai i vendlindjes. Alfred Mirashi Miloti kompozon një pazëll fotografish, të përmasave të ndryshme, të retushuara me dorë, ku individët shfaqen “turbull”, si për të vënë në dukje identitetin e tyre të pakapshëm. Një paditje e të ndryshmes që nuk pranohet. Dy artistët, që përjetuan personalisht mikpritjen brindizine të vitit 1991, duan t’i dhurojnë qytetit në shenjë mirënjohjeje dy prej veprave të tyre.
Gjatë ditëve të rrugëtimit u zhvilluan edhe shumë takime e aktivitete të ndryshme, mes të cilave edhe “Ai mars i vitit 1991” mbi eksodin shqiptar. Në të gjitha stacionet ku “treni i emigrantëve” qëndroi, ngjalli një kuriozitet të jashtëzakonshëm. Kanë qenë të shumtë vizitorët, të cilët u ngjitën në vagonët e tij për të parë nga afër këtë ekspozitë të rrallë e për t’u njohur me ca histori emigrimi, të cilat fatkeqësisht vazhdojnë ta hedhin hijen e tyre edhe në ditët e sotshme.