Tërmeti në malet e Tibetit vret 400, plagos 10.000 njerëz
Një seri lëkundjesh të forta tërmeti goditi dje paradite zonën malore tibetiane në Perëndim të Kinës, duke vrarë të paktën 400 persona dhe duke plagosur më shumë se 10 mijë të tjerë.Shtëpitë e ndërtuara me baltë dhe dru janë shkatërruar. Shumë më tepër njerëz kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja dhe sipas zyrtarëve numri i viktimave pritet të rritet. Lëkundja më e fortë është regjistruar nga Vëzhgimi Gjeologjik i SHBA-së me një magnitudë prej 6.9 ballë. Matjet në Kinë treguan lëkundje prej 7.1 ballë. Lëkundjet e mëpasshme i kanë trembur akoma më shumw njerëzit, të cilët kanë qëndruar në mes të rrugës së rrethuar me shtëpi të shembura. Ka raportime se shumë studentë kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e shkollave të tyre. Policia dhe ushtria kanë përdorur lopata për të kërkuar nën rrënoja. Zyrtarët janë shprehur se nuk ka pasur ekskavatorë në dispozicion. Spitalet kanë qenë të tejmbushur dhe ka pasur mungesa edhe të mjeteve më kryesore dhe mjekët shpesh kanë mbetur pa mundësi mjekimi, sipas AP. Linjat telefonike që nuk funksiononin, erërat e forta dhe lëkundjet e tjera të shpeshta, që pasuan goditjen më të fortë, i kanë penguar përpjekjet e shpëtimit”, tha Vu Jong, komandant i garnizonit lokal të ushtrisë, i cili shtoi se numri i viktimave “mund të rritet më tej, pasi shumë shtëpi janë rrëzuar dhe nuk dihet nëse kanë qenë të boshatisura nga banorët në kohën e rrëzimit”. Qeveria lokale po ngre 5000 tenda dhe ka shpërndarë 100.000 pallto dhe batanije në rajonin malor, rreth 4,000 metra mbi nivelin e detit, ku temperaturat janë ngrirëse. Veç kësaj ekziston dhe rreziku i përmbytjeve, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në një rezervuar të formuar nga një gropë e krijuar pas tërmetit. Tërmeti dje ndodhi rreth orës 7:49 të mëngjesit me orën lokale dhe e kishte qendrën në Yushu, në pjesën jugore të Qinghait, pranë Tibetit. Rajoni i largët nuk ka shumë standarde jetese dhe operacionet e shpëtimit janë shumë të vështira. Presidenti kinez, Hu Jintao ka dërguar zv/kryeministrin për të vëzhguar përpjekjet e shpëtimit dhe më shumw se 5.000 ushtarë, punonjës të mjekësisë dhe të tjerë. Një mesazh ngushëllimi ka mbërritur edhe nga lideri shpirtëror tibetian në azil, Dalai Lama. Pak orë pas tërmetit, qeveria kineze vendosi 200 milionë yen (29,3 milionë dollarë) nga fondi qendror për qeverisjen lokale të Qinghait. Edhe Kombet e Bashkuara kanë premtuar ndihmë për rajonin kinez.