E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polonia dhe Rusia barazuan 1-1 ne Varshave

Polonia dhe Rusia barazuan 1-1 në ndeshjen e dytë në grupin A, në një ndeshje me shumë tension në stadiumin Nacional të Varshavës.
Polonia e nisi shumë më mirë ndeshjen duke iu afruar golit që në minutat e para me anë të sulmuesit kryesor, Levandovski. Fillimisht ai provoi me kokë, por portieri rus largoi topin me këmbë, ndërsa pastaj ai gjuajti rrezikshëm, por pa mundur të shënojë.
Polakët vazhduan presionin dhe një gol i tyre u anulua për pozicion jashtë loje, ndërsa me kalimin e kohës, Rusia nisi ta merrte veten.
Fillimisht, skuadra e trajnerit Advokat, rrezikoi në minutën e 28-të dhe 9 minuta më pas kaloi në avantazh. Autor i golit ishte sërish Xhagojev, njeriu që kishte shënuar 2 gola ndaj Çekisë. Ai iu shkëput mbrojtjes dhe shënoi me kokë.
Deri në fund të pjesës së parë, Polonia ishte e pafuqishme për të bërë diçka, por situata ndryshoi në pjesën e dytë. Sapo skuadrat dolën në fushë nga pushimi, polakët u hodhën në sulm dhe rrezikuan radhazi.
Më pas, Arshavin iu afrua golit për Rusinë, veçse ky ishte thjesht një episod. Skuadra vendase barazoi rezultatin me një gjuajtje të shkëlqyer të lojtarit të Dortmundit, Blashçikovski, duke vendosur barazpeshën në rezultat.
Minutat e fundit nuk sollën gola të tjerë dhe Polonia duket më e rrezikuar pas këtij barazimi duke pasur vetëm 2 pikë pas 2 ndeshjeve të para, ndaj duhet të kërkojë patjetër fitoren me Çekinë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›