E Diel, 1 Nëntor 2026

Polonia, fati i një kombi vital

Me nisjen e shekullit XIX, Polonia vinte si një komb me traditën më të mirë demokratike. Më 3 maj 1793, polakët hartuan Kushtetutën e parë në Evropë (dhe të dytën në botë pas asaj amerikane) me inspirim nga idetë e revolucionit francez. Monarkitë përreth nuk e lejuan megjithatë popullin polak t‘i gëzonte liritë e sanksionuara në ligjin themeltar. Polonia, atëherë republikë polako-lituane, u nda shpejt në tresh nga Fuqitë e Mëdha të kohës: Rusia, Prusia dhe Austria. Ky copëtim i trefishtë brenda 122 vjetësh u përsërit tri herë pasi polakët mbërrinin të krijonin principata apo mbretëri minorene. E gjithë periudha e copëtimit u shoqërua me kryengritje të pareshtura. Varësisht përkatësisë aneksuese, pjesa më e goditur ishte ajo që i ra për hise despotizmit rusomadh. Polakët që vinin nga një traditë gjithsesi demokratike u përballën me autokracinë peshërëndë ruse. U privuan për rrjedhojë nga gjithçka dhe në të gjitha aspektet: politike, ekonomike, fetare. I dhunshëm në të njëjtin gradacion ishte edhe rusifikimi i zonave polake. Urrejtja ruse ndaj polakëve shpejt u ngrit në sistem. Në këtë ushtri u rreshtuan me zell edhe shkrimtarët më të mëdhenj rusë: Gorki, Turgenievi posaçërisht Dostojevski. Fjodor Mihajloviç Dostojevski, me tipare dhe mbiemër polak, njohës i shkëlqyer i gjuhës dhe letërsisë polake, ushqente urrejtje patologjike ndaj gjithçkaje polake. Oficeri rus Dostojevski, i dënuar me vdekje për pjesëmarrje në komplot dhe që i shpëtoi mrekullisht ekzekutimit, atje në Siberi do të gjendej përherë i rrethuar nga bashkëvuajtës polakë. Është e dokumentuar deklarata e përsëritur prej tij shpesh, se nëse do të ishte i sigurt se në dejet e tij rridhte qoftë edhe një pikë e vetme gjaku polak, do të urdhëronte t‘ia zhduknin. Ilustrim jo i keq i përpjekjeve të Rusisë cariste për asimilimin e polakëve është edhe dëshmia e Maria Curie (Sklodowska). Maria Curie ishte nxënësja më e mirë e klasës në gjimnazin e Varshavës. Mësuesja kujdestare, për të dalë mirë para inspektorit Hornberg, ia jep fjalën asaj t‘u përgjigjej pyetjeve të inspektorit hijerëndë. Ajo përgjigjej në rusisht prerazi dhe ftohtë, përgjigjej për jetën e careshës Katerinë, për pasuesit e saj të shumtë deri te Romanovët. Kur inspektori doli nga klasa, Maria Curie Sklodowska nuk ishte në gjendje të qetësonte ngashërimin spazmatik të mësueses, nga goja e së cilës dëgjoi vetëm një fjali: "Përse të na dhunojnë kështu ne polakëve!?" Në Poloninë prusiane, ndërkohë, nuk ishte edhe aq keq. Atje lulëzoi shkolla e filozofisë moderne, u krye një revolucion i vërtetë në edukim, u përqafuan të rejat e shkencës. Kisha katoliko-romake nuk u godit posaçërisht. Fisnikëria polake, edhe pse në nivel të tretë, kishte të drejtën të zgjidhej. Pjesa galiciane, nga ana tjetër, favorizoi parinë të jetonte në stil të lartë. Lufta I Botërore u dha polakëve shansin të rifitonin hapësirat e humbura, mbi të gjitha të rigjenin mëvetësinë. Duke ndjerë prosperitetin e zonës nën Prusi, një pjesë e prijësve polakë ishin të prirur për ujdi me ta, çka do të thoshte të riformonin shtetin e ri vetëm me polakë etnikë. Të tjerë mendonin se kishte ardhur koha të rikthehej Polonia e madhe, ku pakicave t‘u garantohej me ligj autonomia. Përpjekjet e njërës dhe tjetrës rrymë u shuan kur u përballën këtë radhë me nazistët gjermanë, më 1 shtator 1939, çka shënon zyrtarisht shpërthimin e Luftës II Botërore. Fati i Luftës II Botërore e hodhi Poloninë në bllokun e Lindjes, por për një popull të familjarizuar hershëm me lirinë kjo nuk rezultoi deri në palcë fatale. Fitoi territore me kulturë perëndimore, duke dhënë për kompensim toka lindore. Regjimi komunist këtu u kundërshtua për herë të parë (Poznan 1955) dhe praktikisht pas vdekjes së Stalinit (1953) në këtë vend nuk ka pasur komunizëm në termin klasik që ne shqiptarët njohim. Atje p.sh., u lejua prona e vogël private, kolektivizimi i bujqësisë u realizua në zona të kufizuara. Në periudha të ndryshme u materializuan edhe liri më të mëdha. Polakët e kanë kundërshtuar regjimin komunist ritmikisht dhe sistematikisht (1955, 1967, 1970). Më e rëndësishmja padyshim ka qenë lëvizja "Solidarnost" e lindur më 1980-ën dhe që solli ndërrimin e sistemit në gusht 1989, duke u bërë kësisoj promotore e lëvizjeve të ngjashme në vendet e tjera të Lindjes. Ata që merren me historinë e këtij vendi argumentojnë se nacionalizmi polak i shekujve të shkuar, veç kulturës dhe kujtesës kombëtare, ka pasur edhe një element thelbësor: besimin e njësuar katolik. Mbreti i hershëm, Mieszko I, shumë herët, pati braktisur paganizmin për të përqafuar dhe më pas dhuruar polakëve besimin kristian. Ndaj polonishtja, edhe pse gjuhë sllave, është prej asaj kohe me alfabet latin. Lëvruesit e parë të mëdhenj të gjuhës së shkruar polake, sikundër edhe në shumë vende të tjera, ishin misionarët e kishës. Më pas erdhën poetë e shkrimtarë të formatit më të madh botëror Adam Mickiewicz, Henryk Siekiwiecz (nobelist) për të mbërritur me radhë te nobelistët Reymond, Milosz dhe Szymbiorska.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›