E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polonia, medalje për tre shqiptarë

TIRANE - Tre qytetarë shqiptarë nderohen me medalje nga Presidenti i Polonisë. Të nderuarit janë prof. Arqile Teta, Ylli Alibali dhe Vasillaq Orgocka. Alibali dhe Orgocka u nderuan me Kryqin e Artë të Meritës për kontribut në zhvillimin e demokracisë, ndërkohë që prof. Arqile Teta u nderua me Kryqin Kalorësiak të Urdhrit të Meritës për kontribute të veçanta në popullarizimin e historisë së Polonisë, për zhvillimin e bashkëpunimit shkencor midis dy vendeve.

Dorëzimi i medaljeve u bë nga Ambasadorja e Republikës së Polonisë në Tiranë, Irena Tatarzyska gjatë një ceremonie në mjediset e Ambasadës. Alibali dhe Orgocka kanë qenë të dënuar nga regjimi komunist me shumë vite burg nën akuzën e montuar për propagandë armiqësore dhe spiunazh në favor të Polonisë. Prof. Teta është, veç të tjerash, autor i monografisë kushtuar shkencëtarit të madh polak, gjeologut Stanislav Zuber, i torturuar dhe i asgjësuar nga regjimi komunist shqiptar në vitin 1948.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›