Energjia nga HEC-et, KESH prezanton studimin për shfrytëzimin e lumenjve
Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare paraqiti dje një studim për shfrytëzimin e resurseve hidrike mbi 3 lumenjtë e vendit tonë, Drini i Zi, Vjosa dhe Semani. Studimi është kryer nga kompania franceze “SOGRA”, i cili është një studim i integruar për lumenjtë tanë në 20 vitet e fundit. Gjatë konferencës të organizuar për këtë qëllim, drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, tha se "në qoftë se këto studime do të realizohen në projekte konkrete kaskada e Vjosës do të bëhet e dyta për nga rëndësia për prodhimin energjetik në Shqipëri dhe do të prodhojë 30-40 për qind të energjisë, që prodhohet sot nga kaskada e Drinit". Sipas tij, ky është studimi i parë i plotë dhe shumë i integruar sidomos mbi lumin Vjosë. Drejtori i KESH-it, Bojaxhi, theksoi se "vlera e shtuar e këtij studimi në mënyrë të veçantë është se ky studim integron jo vetëm aspektet hidrometrike, gjeologjike dhe sizmike, që kanë qenë standarde në studimet shqiptare më parë, por bën dhe një integrim të aspekteve sociale, ekonomike dhe mjedisore, që këto hidrocentrale mund të kenë në zonat që mund të ndërtohen". Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it nuk ka lënë pa përmendur dhe situatën hidrike në vend. Sipas tij, ajo paraqitet shumë e kënaqshme madje është duke u eksportuar energji edhe në Kosovë dhe Greqi. Nga shitja e energjisë elektrike KESH-i ka arritur që të sigurojë gjatë këtij vitit më shumë se 13 milion euro.
22 Prill 2009