E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimi i BE-së, kryeprokurorja ankohet për presione politike ndaj institucionit të Akuzës

Në seancën e djeshme të pyetjeve raportuan dhe Kreshnik Spahiu e zëvendësministri i Drejtësisë. Për çfarë u pyetën zyrtarët shqiptarë dhe roli i raportimeve të tyre në aplikimin për në BE

Laureta Rryçi

Tiranë - Përfaqësues të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, nën kryesimin e Ambasadës Çeke si kryesuese e radhës e Bashkimit Europian, morën në provim Drejtësinë Shqiptare për të testuar përparimin e reformave dhe respektimin e pavarësisë, në kuadër të plotësimit të kushteve pas nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe në prag të përgatitjes së progres raportit të ri. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, prokurorja e Përgjithshme dhe zëvendësministri i Drejtësisë u ulën përballë diplomatëve europiane dhe iu përgjigjën për më shumë se dy orë pyetjeve të tyre lidhur me hartimin e disa ligjeve shumë të rëndësishme, reformat, buxhetin, pavarësinë dhe madje edhe hetimin e disa çështjeve konkrete.
Seanca e pyetjeve
Një seance dëgjimore me dyer të mbyllura mes krerëve të institucioneve të drejtësisë me përfaqësues diplomatik të Bashkimit Evropian në Shqipëri lidhur me ecurinë e reformave në sistemin e drejtësisë. Të pranishëm në këtë takim ishte dhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, si dhe zëvendësministri i Drejtësisë. Spahiu u shpreh pas takimit se 27 përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Evropian në Shqipëri treguan interes të madh për ecurinë e reformave në drejtësi, projektligjet e miratuara dhe debatuar së fundmi si dhe imuniteti i gjyqtarëve, prokurorëve apo edhe korrupsioni në vend.
Ankesat
Sipas burimeve jo zyrtare, mësohet se prokurorja e Përgjithshme ka ritheksuar para diplomateve europiane faktin se institucioni i Prokurorisë është gjendur vazhdimisht në presionin e politikës dhe qeverisë, si pasojë e çështjeve që janë vënë në hetim, por edhe nën presionin e publikut, i cili sipas saj ka pritur rezultate konkrete për luftën ndaj korrupsionit. Ata kanë kërkuar të mësojnë konkretisht edhe për hetimet dhe presionet e mundshme ndaj prokurorisë për çështjen e Gërdecit. Interesimi i diplomateve europiane ka qenë i gjerë, duke përfshirë miratimin e ligjit për Prokurorinë, imunitetin e prokurorëve, e deri tek pagat e gjykatësve. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, nuk dha detaje për këtë takim, por theksoi se secila palë ka bërë raportin e saj. “Na u desh të ballafaqohemi me pyetje të ndryshme të diplomatëve. Diplomatët jo vetëm që ishin familjarë po ishin shumë të interesuar për çështjet", u shpreh Spahiu. Duke qenë një takim faktmbledhës, për llogari të progres raportit, asnjëri prej institucioneve nuk raportoi zyrtarisht mbi faktet që u hodhën aty dhe detaje të bisedimeve.

Spahiu: Përfaqësuesit e BE-së të interesuar për situatën

Numri dy i KLD-së pak çaste pasi ka lënë seancën e pyetjeve është shprehur për median se përfaqësuesit e huaj ishin shumë të interesuar të dinin mbi situatën që ishte ndodhur shpesh gjyqësori këto kohët e fundit. “Ishte një seancë e gjatë ku për afro dy orë na u desh të ballafaqohemi me pyetje të ndryshme të diplomatëve të BE-së, të cilit ishin shumë të interesuar me problemet që lidhen me procesin legjislativ, me projektligjet e fundit të kaluara dhe debatuara në parlament, më çështjet që lidhen me imunitetin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve, çështjet që lidhen me pavarësinë e gjyqësorit dhe sistemit të drejtësisë si edhe problemet e korrupsionit të të gjithë sistemit por në veçanti atë të sistemit të drejtësisë”, - u shpreh Spahiu në prononcimin e tij për mediat. Gjithashtu në këtë seancë dëgjimore të përfaqësuesve të Bashkimit Europian u diskutua edhe për marrëdhëniet e institucioneve të drejtësisë në vendin tonë.

22 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›