Protesta e grave të PS-së para Kryeministrisë
Dita e 8 Marsit, që njihet si Dita Botërore e Gruas, pritet të marrë këtë vit në Shqipëri kuptimin e saj origjinal. Për herë të parë një pjesë e nënave apo motrave shqiptare nuk do të festojnë siç është bërë zakonisht në vendin tonë, por do protestojnë për të drejtat e tyre. Bëhet fjalë vetëm për ato gra që besojnë dhe përkrahin partitë e opozitës, të cilat do të manifestojnë në një tubim proteste para Kryeministrisë më 8 Mars. Për këtë qëllim kreu socialist Edi Rama ka thirrur dje në një takim koordinues të gjitha deputetet gra të Partisë Socialiste me të cilat ka diskutuar mbi çështjet e organizimit. Burime pranë këtij takimi bënë të ditur dje se Rama ka kërkuar nga deputetet e veta që të synojnë një pjesëmarrje sa më masive të grave në këtë protestë. Për këtë qëllim që në ditët në vijim të gjitha deputetet do të shpërndahen nëpër zonat e tyre elektorale, në takime derë më derë, ku t’i bëjnë thirrje çdo gruaje që ndihet e dhunuar dhe e parespektuar nga qeverisja që t’i bashkohet protestës së 8 Marsit. Ndërkohë që për sensibilizimin e grave në këtë tubim PS ka vendosur që të prodhojë dhe fletëpalosje të veçanta, të cilat gjithashtu do të shpërndahen nga deputetet socialiste gjatë këtyre takimeve. Gjithashtu deputetet socialiste do të bashkëpunojnë edhe me forumet e grave të partive të tjera opozitare. Paralelisht deputetet e PS-së do të angazhohen në një dalje të përditshme për mediat ku do bëhet thirrje për pjesëmarrje në këtë protestë. Dje ka qenë radha e deputetes Ledi Shamku, e cila ka ftuar gratë nga e gjithë Shqipëria që t’i bashkohen kësaj proteste kundër qeverisë. “Do të protestojmë më 8 Mars në emër të të gjitha atyre grave shqiptare, që sot rropaten nëpër punë të vështira për t’u dhënë fëmijëve të tyre në shans në jetë, ndërkohë që fëmijët e Saliut, fëmijët e ministrave të oborrit të tij i shqyejnë përditë pasuritë e këtij vendit tonë. Më 8 mars në shesh, për t’u solidarizuar me të gjitha ato nëna që Saliu i ka veshur me të zeza e me të gjithë ata fëmijë që ai i ka lënë jetimë në emër të korrupsionit e makutërisë së pushtetit të tij”, - tha Shamku.