E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poni: Qeveria do të paguajë të gjitha dëmet e shkaktuara nga përmbytjet

Zv/ministri i Brendshëm konfirmon se po merren masa për përballimin e gjendjes pa viktima
Pavarësisht kushteve tepër të vështira të motit, situata në zonat e përmbytura në veri- perëndim të vendit është nën kontroll nga qeveria shqiptare. Rifillimi i reshjeve por edhe shkarkimi i prurjeve nga hidrocentralet ka rritur sërish nivelin e ujit në këto zona.Më shqetësuese situata është në Qarkun e Shkodrës dhe më konkretisht në komunën Dajç. Qeveria vazhdon të ndjekë nga afër të gjithë situatën e rënduar, të krijuar në Shkodër dhe Lezhë nga përmbytjet.

Si kryeministri Sali Berisha i cili ishte i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha ashtu edhe kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, kanë inspektuar nga afër situatën më të fundit në lumin Mat, në digën e Shkopetit, në Lezhë dhe në komunën e Dajçit dhe u kanë bërë thirrje banorëve të evakuohen. Kryeministri Berisha vlerësoi se ndonëse jo e thjeshtë, situata po menaxhohet me efiçencë. Rifillimi i reshjeve të shiut, ka përkeqësuar situatën në zonat e përmbytura në Shkodër, por zv/ministri i Brendshëm Ferdinand Poni është shprehur se po merren masat për përballimin e gjendjes pa viktima. Nëpërmjet një interviste dhënë për BBC-në, Poni ka sqaruar masat e marra nga qeveria për përballimin e situatës që po kalojnë zonat e përmbytura në veri- perëndim të vendit, ku prej ditësh është shpallur gjendja e emergjencës dhe banorëve po u vinë në ndihmë forca të ushtrisë dhe policisë të komanduara nga Ministria e Brendshme. Ai informon se situata është nën kontroll, pavarësisht kushteve shumë të vështira të motit dhe që situata emergjente në këto zona nuk do të hiqet. Niveli i ujit në hidrocentrale po i afrohet pikës kritike ndaj shkarkimet po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim. Ne jemi të angazhuar maksimalisht që dëmet të jenë minimale, por situata prej reshjeve pritet të përkeqësohet,  është shprehur ai. Dëmshpërblim Përfaqësues të lartë të shtetit u kanë thënë banorëve të këtyre zonave se do ti dëmshpërblejnë 100 për qind. Kryetarja e Parlamentit, konkretisht gjatë takimit që ka zhvilluar ditën e djeshme me banorët e komunës së Dajçit, pasi u ka kërkuar atyre të evakuohen, deklaroi se dëmet që mund të vijnë gjatë ditëve të ardhshme për shkak të këtij moti të çmendur do të kompensohen dhe dëmshpërblehen nga shteti. Edhe zv/ministri i Brendshëm theksoi se dëmshpërblimi për këta banorë do të jetë i plotë dhe informoi se në momentin e largimit të ujit nga banesat dhe tokat do të dërgohen komisionet që do të bëjnë vlerësimet. Sa të na lejojë koha, pra, të largohet uji, ne do të dërgojmë komisionet që do të bëjnë vlerësimet dhe do të dëmshpërblejmë sipas ligjit plotësisht të dëmtuarit. Të gjithë pasurinë e tyre. Deklaratat janë politike, por jo në sensin për të gënjyer, vlerësoi Poni. Përsa i përket deklaratave të opozitës e cila thekson se kjo katastrofë është keqmenaxhimi i hidrocentraleve dhe prishja për qëllime të tjera e fondeve të caktuara më parë për mirëmbajtjen e argjinaturave, zv/ministri i Brendshëm ka theksuar se nëse cilësia e argjinaturave nuk do të ishte shumë e mirë, atëherë në Shkodër dhe Lezhë do të ishte bërë qameti. Ministria e Brendshme nuk merret me argjinaturat. Por më duhet të them se nëse nuk do të ishte cilësia shumë e mirë e tyre në Shkodër dhe në Lezhë do të ishte bërë qameti. Nuk do të kishim 800 ha të përmbytur, por mijëra, jo 70 familje në gjendje të rënduar, por 700 të tilla. Ne jemi të tërë aty për të përballur situatën pa humbje në jetë njerëzish. Ky është qëllimi ynë!, përfundoi Poni. Situata e shkaktuar ka mobilizuar forcat ushtarake të cilat kanë vijuar evakuimin e banorëve në komunën e Dajçit, një nga më të prekurat nga përmbytjet e shkaktuara nga hapja e portave të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit. Ndërkaq niveli i ujit është rritur ndërsa ka tendenca të rritet edhe më shumë, pasi shkarkimi i ujërave nga hidrocentrali i Vaut të Dejës është më i lartë se mbrëmjet e kaluar. Situata paraqitet problematike në Dajç dhe fshatin Obot, ndërsa ministria e Mbrojtjes ka ndërtuar disa argjinatura në lumin Mat, si dhe janë shpërndarë dhe ndihma në ushqime për t'u ardhur në ndihmë banorëve.Blerina Gjevori

Last Updated on E Marte, 05 Janar 2010 23:27

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›