PD rinovon strukturat drejtuese në janar, priten ndryshime në sekretariate
Këshilli Kombëtar mblidhet në fund të janarit, pritet largimi i Bodes si Sekretar i Përgjithshëm Kryeministri Berisha dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike do të mbledh në fund të këtij muaji Këshillin Kombëtar. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i cili sqaron gjithashtu se ende nuk dihet një datë e saktë për mbledhjen e Këshillit Kombëtar, pasi këtë kompetencë sipas statutit e ka vetëm kryetari i partisë, i cili nuk ka anonçuar ende asgjë. Vetëm kryetari i Partisë demokratike mund të thotë një
datë të saktë për mbledhjen e Këshillit Kombëtar, sepse sipas statutit është kompetencë e tij thirrja e këtij organi të forcës tonë politike. Ende kryeministri Berisha nuk ka përcaktuar një datë të saktë për thirrjen e Këshillit Kombëtar, megjithatë ai ka njoftuar që një gjë e tillë do të ndodhë në fund të këtij muaji, u shpreh sekretari organizativ dhe njëkohësisht deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka. Pas shpalljes së rezultateve për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, kryeministri Berisha pritet ta mbledhë atë për të zgjedhur strukturat drejtuese për katër vitet e ardhshme. Kjo përzgjedhje pritet të sjellë edhe disa ndryshime përsa i përket figurave drejtuese të partisë. kështu pritet që Sekretari i Përgjithshëm Ridvan Bode mund të zëvendësohet. Një ndryshim i tillë pritet të ndodh për të rritur efikasitetin e partisë dhe jo për ndonjë sulm personal ndaj Bodes. Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi pritet që të vazhdojnë të jenë nënkryetarët e Partisë Demokratike. Po ashtu Patozi do të vazhdojë të jetë edhe kryetari i grupit parlamentar, pikërisht për këtë arsye ai është automatikisht nënkryetar partie. Mbeten në diskutim emrat që do të mbajnë postet e Sekretarit Organizativ, Sekretarit për Çështjet Ligjore, Sekretarit për Pushtetin Lokal, Sekretarit i Burimeve Njerëzore, Sekretarit për Partneritet dhe të Sekretarit për Ekonominë. Sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe zëdhënësi i Partisë Demokratike vendoset automatikisht nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha pa u hedhur në votim. Ata bëhen automatikisht anëtar të Kryesisë së PD, po ashtu si sekretarët e tjerë, por ndryshimi qëndron tek fakti se këta të dy nuk kanë të drejtë vote, sepse nuk janë zgjedhur. Zgjedhja Këshilli Kombëtar do të zgjedh ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi Kombëtar, me votim të fshehtë, Sekretarin e Përgjithshëm, dy Nënkryetarët e partisë, Sekretarët funksionalë, Kryetarin e Bordit Financiar të Partisë dhe Komisionin Qendror të Apelimit. Ai vendos për rregulloren e brendshme, me propozim të kryesisë së partisë, ndërmerr gjithë dispozitivin e nevojshëm për zbatimin e këtij statuti dhe për mbarëvajtjen e partisë. Gjithashtu ai vendos të gjitha kandidaturat elektorale, me përjashtim të atyre që Statuti i parashikon ndryshe. Vendimet e Këshillit kombëtar merren me shumicë të thjeshtë votash. Në rastin e masave disiplinore vendimet e Këshillit Kombëtar merren me 2/3 e votave. Mbledhjet e këshillit kombëtar nuk mund të zhvillohen pa praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve. Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe në se e kërkojnë ¼ e anëtarëve të tij. Në këtë rast Kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës. Data e mbledhjes dhe rendi i ditës duhet tu njoftohen anëtarëve jo më vonë se 5 ditë para zhvillimit të mbledhjes. Këshilli Kombëtar zgjedh ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi, me votim të fshehtë njëzetepesë anëtarët e Kryesisë së Partisë nga një listë ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që kërkohen. Partia Demokratike ka shpallur 100 emrat e rinj të Këshillit Kombëtar të cilët janë votuar gjatë mbajtjes së Kuvendit të nëntë në 14 dhjetor. Në këtë listë nuk përfshihen emrat e kryetarëve të PD në qarqe, pasi ata përfshihen automatikisht në Këshillin Kombëtar dhe i bashkëngjiten 100 emrave që janë zgjedhur me votë të fshehtë nga 1216 delegatë të pranishëm.
Emrat që mbetën jashtë Këshillit Kombëtar të PD Partia Demokratike ka shpallur ditën e djeshme 100 emrat e rinj të Këshillit Kombëtar, të cilët janë votuar gjatë mbajtjes së Kuvendit të nëntë në 14 dhjetor. Në këtë listë nuk përfshihen emrat e kryetarëve të PD në qarqe, pasi ata përfshihen automatikisht në Këshillin Kombëtar dhe i bashkëngjiten 100 emrave që janë zgjedhur me votë të fshehtë nga 1216 delegatë të pranishëm. Pas shpalljes së rezultateve të Këshillit Kombëtar të bie në sy që mungojnë shumë nga emrat të ashtuquajtur të vjetër ose themelues të PD-së. Në listën e re të Këshillit Kombëtar të PD-së mungojnë ata të cilët deri para pak kohësh janë cilësuar si mbështetësit e presidentit Topi i cili para se të zgjidhej në krye të shtetit ka mbajtur postin e nënkryetarit të PD-së dhe të kryetarit të grupit parlamentarë të kësaj partie. Topi kishte mbështetësit e tij në grupin parlamentarë pjesa më e madhe e të cilëve nuk u rizgjodhën më në listat e kandidatëve për deputet ose ishin të caktuar në vende ku e kishin të sigurte se nuk do të fitonin gjë. Ndërsa sot të gjithë këta emra mungojnë në listën e Këshillit Kombëtar të PD-së. Nuk u zgjodhën më anëtar të Këshillit Kombëtar Aleksandër Biberaj, Sali Shehu, Pal Dajçi, Sami Gjergji, Rexhep Uka, Gëzim Karapici e shumë të tjerë të cilët njiheshin si mbështetës të Bamir Topit tashmë janë larguar përfundimisht nga strukturat drejtuese kryesore të partisë duke izoluar kreun e shteti dhe duke rrëzuar përfundimisht shpresën e tij se mund të rikthehet sërish në parti.
Emrat surprizë që u zgjodhën në Këshillin e ri KombëtarLista e re e Këshillit Kombëtar të PD përmban edhe shumë surpriza, krahas edhe disa preferencave të delegatëve që nuk kanë ndryshuar. Kështu më i votuari ka qenë kryetari i Partisë Demokratike dhe kryeministri Sali Berisha i cili ka marrë 1201vota. Pas tij renditen emra të tjerë të rëndësishëm brenda PD, si kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, nënkryetari i PD, njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar Astrit Patozi. Po ashtu një numër të konsiderueshëm votash kanë marrë dy ministra të rëndësishëm të kabinetit qeveritar, Ridvan Bode dhe Sokol Olldashi. Pas tij vjen deputeti i PD Edi Paloka, ministri i Drejtësisë Bujar Nishani , sekretari organizativ Flamur Noka, ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe ministrja e Integrimit Majlinda Bregu. Kështu një pjesë e mirë e grupit parlamentar të PD është pjesë e Këshillit Kombëtar. Nga ana tjetër në këshillin kombëtar janë futur edhe shumë emra të rinj të cilët ishin në pozicione të sigurta në listën e kandidatëve për deputet, si Rajmonda Bulku, Mesila Doda, Spiro Ksera, Keltis Kruja, Gjok Uldedaj. Po ashtu këshilltarët e kryeministrit Berisha, drejtorët e drejtorive apo zëvendësministrat si Ferdinand Poni, Zana Turku e të tjerë. Gjithashtu një risi është fakti që 30% e anëtarëve të këshillit kombëtar në zbatim të statutit janë femra dhe padyshim ndër më të vlerësuarat janë zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, zëdhënësja e kryeministrisë, Juela Meçani dhe këngëtarja Çiljeta Xhilaga e cila ka arritur të fitojë të drejtën për të qenë anëtare e Këshillit Kombëtar. Denisa PLAKA
Last Updated on E Marte, 05 Janar 2010 23:36