Topalli, thirrje banorëve të largohen nga zonat që rrezikohen nga përmbytja
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ashtu si për çdo ditë ka ndjekur në vijimësi situatën në zonat e prekura nga përmbytjet në rrethin e Shkodrës. Ajo ishte ditën e djeshme në komunën Dajç për të parë nga afër në terren situatën më të fundit, ku takoi banorët e këtyre zonave dhe mori pjesë në mbledhjen e Shtabit të emergjencës. Në takimet me banorët, kryetarja e Kuvendit duke garantuar se çdo strukturë e shtetit është në këmbë si asnjëherë më parë,
u kërkoi banorëve bashkëpunim për evakuimin e familjeve, grave e fëmijëve, dhe i cilësoi heronj ushtarët, të cilët në këto ditë të vështira dhe me këtë mot të paimagjinueshëm, po tregojnë përgjegjshmëri maksimale. Ajo që unë kam për detyrë ti them banorëve si deputete e kësaj zone, ju lutem largohuni nga zona, ju lutem bashkëpunoni me ushtrinë, me shtetin për shpëtimin e jetëve. Ajo është gjëja më e shtrenjtë qe kemi. Dëmet që mund të vijnë gjatë ditëve të ardhshme për shkak të këtij moti të çmendur do të kompensohen dhe dëmshpërblehen nga shteti, tha ajo. Duke falënderuar qeverinë për ndërtimin e argjinaturave në vitin 2006, Topalli u shpreh se ndërtimi i këtyre argjinaturave bëri të mundur evitimin e një katastrofe. Kryetarja e Kuvendit falënderoi prefektin që ka qenë në krye të kësaj pune, ushtrinë, policinë, punonjësit e mirëmbajtjes, punonjësit e ndërmarrjes së kullimit, të shëndetësisë dhe të gjithë ata që gjatë gjithë kësaj periudhe kanë treguar se vetësakrifikojnë, se janë tërësisht në funksion të mbështetjes dhe ndihmës së qytetarëve. Përsa i përket pyetjes nëse do të vijojnë shkarkimet në Vaun e Dejës, Topalli u përgjigj se edhe gjatë muajve dhe javëve më parë nga ana e teknicienëve ka pasur një përgjegjësi të jashtëzakonshme për një shkarkim gradual të hidrocentraleve. Natyrisht detyra jonë është që të ndalojmë rreziqet shumë më të mëdha dhe teknicienët kanë treguar përgjegjësi me shkarkimet graduale prej javësh të hidrocentralit. Dua ti falënderoj sepse nuk ka ndodhur si në vitin 2003 kur pa lajmëruar banorët, kanë shkarkuar 2300 metër kub në sekondë ujë nga Vau i Dejës, duke përmbytur qytetin e jo më këto zona, u shpreh ajo.