Berisha në Lezhë: Situata po menaxhohet me efiçencë
Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha, inspektoi ditën e djeshme edhe zonën e përmbytur nga batica e detit Adriatik në Ishull Shëngjin, në qarkun e Lezhës. Kryeministri Berisha vlerësoi se ndonëse jo e thjeshtë, situata po menaxhohet me efiçencë. Kryeministri u njoh nga afër edhe me ecurinë e punimeve për ngritjen e digës që do të normalizojë situatën dhe do ta mbrojë këtë zonë nga rreziku i ngritjes së detit. Kryeministri
vlerësoi përkushtimin dhe punën e madhe për ngritjen e digës në një kohë sa më të shpejtë të punonjësve të firmës ndërtuese dhe forcave të ushtrisë, të angazhuara në normalizimin e situatës. I pyetur nëse dora e njeriut, mund të ketë dëmtuar ekosistemin, kryeministri Berisha u shpreh se në Tale është verifikuar që po. Sidoqoftë qëndrime shumë të tjera do të adaptohen në mbrojtje të të gjithë vijës bregdetare, pasi ishte një paralajmërim i parë i madh. Se çfarë ishte, nuk u mor vesh, por një gjë është e sigurt se dallga ishte jashtëzakonisht e fuqishme dhe siç e patë, ka bërë dëme të mëdha. Në tërësi kjo situatë jo e thjeshtë po menaxhohet me efiçencë, informoi Berisha, ku shtoi se gjatë kësaj periudhe dhe këtij dimri qeveria do të qëndrojë shumë e gatshme për të zvogëluar problematikën e krijuar.