Ruçi: Në Kongres jo “gjueti shtrigash”,por delegatët janë të lirë të marrin vendime
Ilir Babaramo
Kryetari i Asamblesë Kombëtare dhe njëkohësisht kryetar i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi tha dje se kongresi PS në 18 Prill nuk do të jetë një “gjueti shtrigash”, por nuk përjashtoi edhe mundësinë e propozimeve të ndryshme që mund të vijnë nga delegatët e tij, për ndryshime në përbërjen e strukturave qendrore në PS. Këtë deklaratë Ruçi e bëri në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, në News 24. Ruçi për herë të parë heq nga përgjegjësia e manipulimit të kartave të identitetit kompaninë e prodhimit, Sagem dhe shprehet se ato janë prodhuar jashtë sistemit.
Zoti Ruçi, përse mblidhet Kongresi i 18 Prillit?
është Kongres i zakonshëm, sipas statutit ai thirret çdo vit. Ka disa arsye pse mblidhet ky kongres; e para është situata politike, që kërkon të merret një qëndrim politik i partisë, së dyti, ne kemi dalë nga një palë zgjedhje dhe ka kaluar një periudhë dy vjeçare nga miratimi i programit politik dhe statusor, ku zgjedhjet vërtetuan disa përmirësime politike dhe statusore që partia të funksionojë sa më mirë.
Do ketë ristrukturim të kryesisë së PS pas kongresit?
Nuk bëhet fjalë për ndonjë ndryshim para Kongresit dhe as gjatë Kongresit. Nuk kemi ndonjë propozim konkret. Le ta lemë në datën 18 prill, janë sovranë të gjithë, delegatët e Kongresit, anëtarët e Asamblesë janë sovranë për të bërë propozime konkrete dhe për të marrë vendime përkatëse.
Mund të kemi ndryshime nëse do të ketë propozime nga Kongresi?
Absolutisht, nuk mund ta paragjykoj, Kongresi është i hapur.
Pra, nëse propozohet në Kongres se do duhet të ketë ndryshime në strukturat drejtuese të PS ato do të bëhen?
Patjetër, kjo është një e drejtë statusore.
Zoti Islami, ka thënë se Kongresi thirret për të bërë spastrime, për të larguar ata të LMN-së nga kryesia e PS?
Nuk ka qenë asnjëherë në traditën dhe në edukatën politike të PS për të bërë spastrime. Kongresi është thirrur sipas radhës. Nuk dua të bëj komente dhe paragjykime të kësaj natyre, por është e drejta ekskluzive e çdo delegati dhe na duhet vetëm të presim dhe të mos paragjykojmë. Askush të mos mendojë dhe dyshojë se në PS ka pasur, ka dhe do të ketë “gjueti shtrigash”. Mendimet kanë qenë dhe janë të lira, e drejta e fjalës nuk i ndërpritet askujt, e drejta e votës në mënyrë demokratike do të bëhet në mënyrë transparente, qoftë në Asamblenë Kombëtare apo në Kongres e në Kryesinë e PS. Jemi në demokraci dhe kushdo ka të drejtë të ketë ambicie për të bërë karrierë, sepse në kohën e komunizmit nëse kishe ambicie të quanin karrierist dhe të dënonin. Sot në demokraci ambicia është një gjë e moralshme, por që të kesh ambicie në demokraci duhet të plotësosh dy kushte, të jesh i votuar dhe ta mbash me punë.
Si do të shkoni ju në Parlament se nuk është shumë e qartë?
është fare e thjeshtë. Ne do të shkojmë në çdo seancë, do të shfrytëzojmë të gjitha hapësirat që na jep seanca dhe parlamentarizmi ynë do të jetë vetëm një kërkesë. Ne do të kërkojmë që maxhoranca të ketë vullnetin politik të ulet dhe të gjejmë zgjidhje. Ne përmbushëm një kërkesë që ishte e natyrshme, normale, shkuam në Parlament, paraqitëm opsionet tona, ndërsa votimi ishte në kundërshtim me të gjitha procedurat parlamentare. Ne nuk jemi tërhequr nga kërkesa jonë, nuk është një kapriço e jona, është një domosdoshmëri për të parë se çfarë ka ndodhur në zgjedhje. Zgjedhjet e 28 qershorit ishin në ‘96 e dytë, tek të parat kishim dhunë, ndërsa sot ato u manipuluan me para. Do të ishte dobësi e opozitës nëse ne do të tërhiqeshim nga kërkesa jonë dhe do të ishim bashkëpërgjegjës për këto zgjedhje.
Ju do të merrni pjesë në mbledhjen e kryetarëve?
Patjetër dhe do të kërkoj që të gjejmë pika kontakti për të zgjidhur krizën. Do të kërkoj negociata me maxhorancën.
Po deputetët do të shkojnë në komisione?
Jo, po ju them se do të shkojmë vetëm për transparencën. Deri më sot kemi qëndrime të palëvizshme të maxhorancës, ndërsa ajo e ka kuptuar se komisioni që ajo miratoi është nul dhe s’mund të bëjë hetim të vetvetes.
Maxhoranca ju ka bërë një padi penale në Prokurori për kartat e identitetit që keni paraqitur. Keni prova për t’u mbrojtur në Prokurori?
Mbrojtjen e kam shumë të lehtë dhe këtë e kam thënë dhe në Parlament se mund t’i vërtetoj ato vetëm me listat e zgjedhësve. Kam kërkuar listat e zgjedhësve që të vërtetoj ligjshmërinë e tyre. Ministria e Brendshme në vend të jetë e akuzuar për këtë fakt se është ajo që zhvillon zgjedhjet dhe duhet të garantojë ligjshmërinë e listave të zgjedhësve, të kartave dhe të kërkojë e zbulojë se si janë bërë këto karta. Nëse do të vërtetojë nëse këto karta janë të falsifikuara apo jo, të hapë kutitë e votimit.
Si i keni shtënë në dorë ato karta?
Nuk ka rëndësi se si i kam në dorë. Ne jemi një forcë politike që pretendojmë të vijmë në pushtet. Por zoti Berisha në mënyrë të përsëritur na ka thënë që të më sjellin sikur edhe një provë.
është pak absurde që ju keni në dorë kartat e një votuesi që presupozohet se ka votuar kundër PS...?
Sigurisht që nuk i ka sjellë ai që i ka përdorur, ato janë karta njëpërdorimshme. I kam nga Tropoja në Korçë.
Sa individë që kanë përdorur të tilla karta keni?
Kam deri tani 50 individë deri më sot dhe vazhdon prurja e kartave të tjera.
Ka një pretendim dhe nga kompania që prodhon kartat, se mund të marrë kushdo dublikartë, si puna e certifikatave, por numri është i njëjtë...?
Kompania mund të ketë të drejtë, unë s’kam asnjë rezervë ndaj kompanisë, madje unë do ta përshëndesja kompaninë për një gjë: që kërkesa që i ka bërë prokurori i Fierit, kompania i është përgjigjur pozitivisht dhe në kohë lidhur me numrat e kartave që janë gjetur në listat e zgjedhësve, duke i thënë se këta persona nuk kanë aplikuar ndonjëherë për karta. Unë nuk kam asnjë pretendim se në falsifikimin e këtyre kartave është përfshirë kompania Sagem. Ajo që unë mendoj dhe dyshoj e që mbetet për t’u vërtetuar nga Prokuroria është që këto karta janë bërë jashtë sistemit, jashtë kësaj kompanie dhe këtu janë përfshirë hallkat e ndryshme të shtetit, këtu kemi të bëjmë me një mafie elektorale.
Përse nuk shkoni në komision të kërkoni të hetoni në 9 qarqet e tjera?
Ju thoni të bëjmë sikur nuk ka ndodhur gjë. Ne kemi vendosur që në objektin e komisionit hetimor të mos kufizohet hetimi dhe të mos hiqet objekti i hetimit, siç është kutia. Atëherë ne duhet ta shohim shishen nga jashtë dhe të themi se është koçifoz dhe jo mjaltë, pa e privuar se çfarë ka brenda?!
Kriza, Tahiri: Zgjidhja vetëm përmes protestave
Deputeti socialist, Sajmir Tahiri akuzoi dje maxhorancën se po injoron të gjitha alternativat e zgjidhjes së krizës. “Kjo maxhorancë deri tani ka shkelur me dhunë të gjitha alternativat për të zgjidhur krizën, duke i bërë karshillëk, jo vetëm opozitës dhe partnerëve ndërkombëtarë, por edhe çdo qytetari të ndershëm në këtë vend”, tha Tahiri. Sipas tij, e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës mbeten protestat. “Në këto kushte, e vetmja alternativë demokratike e mbetur, është protesta në çdo cep të vendit, deri në zyrën e Kryeministrit, protestë që do ndalet atëherë kur Kryeministri dhe maxhoranca do t’i nënshtrohen ligjit për t’i hapur rrugë hetimit të zgjedhjeve dhe të të gjithë skandaleve të tjera që mbajnë peng zhvillimin e vendit”, u shpreh Tahiri.