Popullizmi për masat e gjëra

Kur Marine Le Pen hyn në dhomë, ajo e dominon atë fizikisht. Ajo duket se hyn në një ring, e tendosur dhe e gatshme për të goditur.
Kjo politikane 42 vjeçare ka trashëguar kraharorin dhe fytyrën e gjerë të atit të saj. Ajo padyshim se është e bija e Jean Marie Le Penit, por njëkohësisht ajo ka edhe personalitetin e saj. Ajo fascinon njerëzit për shkak se ka ngjashmëri, e gjithashtu edhe dallon nga njeriu, i cili për dekada të tëra është konsideruar si “djali i keq” i politikës franceze.
Ajo gjithashtu duhet të falënderoj të atin e saj për zërin e saj kumbues, i cili jehon edhe atëherë kur ajo flet normalisht. Është ky zëri i një femre, e cila ka pirë duhan me vite të tëra, por është gjithashtu edhe zëri i një luftetare. Ka agresion në zërin e saj, e madje edhe një dozë të vulgaritetit. Marine Le Pen e cilëson vetën si njeri që është ngritur nga fundi dhe është e vendosur të arrijë tek ata, që konsiderohen ëelitë politike e Francës.
Në një pasdite vere në Metz, Le Pen po fliste në një dhomë të mbushur për konferenca. Fjalët e saj duken përplot me energji dhe shumë shpejtë bëhet e qartë se ajo është një politikane tejet e talentuar.
Duke shfrytëzuar shënimet e saj, e jo ndonjë fjalim të përgatitur, ajo flet me fjali të shkurta dhe mjaft goditëse. Ajo tërheq vërejtjen për refugjatët nga Tunizia dhe nga imigrantët në përgjithësi. Ajo kërkon që mirëqenia sociale në vend të imigrantëve t’i ofrohet francezëve. Dhe më në fund, ajo i qaset çështjes qendrore: luftës kundër globalizimit, për të cilin Le Pen thotë se po e shkatërron Francën.
Ajo dëshiron largimin nga eurozona, rivendosjen e kontrollit kufitar dhe nacionalizimin e bankave. Vizioni i saj është një anti-tezë e fuqishme për Evropën, në të cilën nuk beson më pothuajse askush, madje edhe në Francë. “Çfarë po propozojnë konservatorët dhe socialistët? Asgjë. Ata janë të zënë me luftën kundër Frontit Kombëtar”.
“Zgjedhjet janë çështje seksuale”, shkroi së fundi në gazetën Liberation shkrimtarja franceze, Christine Angot. “Marine Le Pen joshë 20 për qind prej nesh dhe fascinon 80 për qind të tjerë. Një femër me qëndrim mashkulli, kjo na pëlqen. Një femër që dominon të atin e saj dhe arrin rezultate më të mira”.
Që nga janari, Le Pen është kryetare e Frontit Kombëtar, në të cilin funksion zëvendësoi të atin e saj. Me zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat do të zhvillohen pas një viti, disa anketa e rreshtojnë atë në vendin e dytë, para presidentit aktual të Francës, Nicolas Sarkozy dhe prapa Martine Aubry, kandidates së socialistëve, e cila e kumtoi kandidaturën e saj javën e kaluar.
Kjo do t’ia mundësonte asaj që të kualifikohet në rrethin e dytë zgjedhor, gjë që do të ishte një triumf për Le Penin.
Kur i ati i saj ia arriti ta bëjë këtë para nëntë viteve, në prill të vitit 2002, shumë francezë këtë e cilësuan si katastrofë kombëtare. Në rrethin e parë të votimit, Le Pen u rreshtua para socialistit Lionel Jospin.
Në rrethin e dytë, francezët votuan për Jacques Chiracun. Kur Jean Marin Le Pen themeloi Frontin Kombëtar në vitet e 70-ta, ai gjithashtu shpiku edhe popullizmin e krahut të djathtë në Evropë.
Popullistët modern evropianë të krahut të djathtë nuk synojnë më të shokojnë njerëzit, por dëshirojnë të përparojnë në zemër të shoqërisë. Politikani holandez, Geert Ëilders dhe ai danez, Pia Kjaersgaard, tashmë ja kanë arritur ta bëjnë këtë, ndërsa Marine Le Pen është duke punuar me zell, për të arritur deri aty.
Ajo flet për politikë, siç flasin për politikë edhe njerëzit e thjeshtë.
Disa javë pas paraqitjes së saj në Metz, Le Pen takohet me ne, në zyrën e saj të vogël në Parlamentin e Evropës në Strasburg. Ajo fillon të flet për fëmijërinë e saj. Marine kishte vetëm tetë vjet, kur shpërtheu bomba dedikuar atit të saj, në korridorin e apartamentit të familjes. Familja nuk pësoi lëndime.
“Ky ishte momenti kur mësova se politika është e rrezikshme. E ndjej padrejtësinë e thellë, e cila më ka përcjellë gjatë gjithë jetës. Është gjithmonë me mua, sikur edhe frika se diçka mund t’i ndodhë atit tim”, rrëfen ajo.
Ajo mohon se partia ëe saj është raciste dhe ksenofobie, e më së paku parti ekstremiste e krahut të djathtë.
Ajo ka bërë përpjekje të vazhdueshme, për të eliminuar paragjykimet e tilla. Në një intervistë ajo pat deklaruar se “Holokausti është kulminacioni i barbarisë”.
Sikur edhe i ati, ajo ka qëndrim kritik ndaj imigrantëve, por për dallim nga ai, sulmet e saj janë të përqendruara kundër islamit.
Marine Le Pen, e cila është shkurorëzuar dy herë, ka tre fëmijë, të cilët i rritë vetë.
Por a do të jetë ajo në gjendje të fitojë zgjedhjet? Le Pen mund të bëhet një rrezik më i madh për partitë e mëdha, se sa që ishte ndonjëherë i ati i saj. Ajo po lufton për funksionon e Sarkozysë dhe po sillet si një njeri, i cili mund të fitojë.
Në Metz, ajo deklaron para ithtarëve të saj se beson se ka gjasa. “Në vitin 2002, francezët nuk ishin të gatshëm të zgjedhin dikë, nga radhët e Frontit Kombëtar. Në vitin 2007, ata zgjodhën një njëri, i cili tingëllonte thuajse ishte nga Fronti Kombëtar, por nuk ishte. Në vitin 2012 do të jenë të vullnetshëm”.