E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisen turqit

Koncesionari i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Limak de Lion ka filluar ndërtimin e terminalit të ri prej 42 mijë metrash katrorë. Për këtë projekt, koncesionari ka marrë një kredi prej 85 milionë eurosh në bankën turke, Vakifbank. Nga Albulena Maloku më 12 korrik 2011 në ora 03:09

Koncesionari turk ka filluar investime të reja në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Pas renovimit të objekteve ekzistuese në hapësirat e Aeroportit, koncesionari ka filluar ndërtimin e terminalit të ri prej 42 mijë metrash katrorë. Për fillimin e këtij projekti, turku ka marrë një kredi prej 85 milionë eurosh në bankën turke, Vakifbank.

Pas terminalit, koncesionari do të vazhdojë me ndërtimin e parkingut të automjeteve, kullën dhe rregullimin e zgjerimin e parkingut të taksvie. Gjithë këto investime, bashkë me terminalin, do të arrijnë vlerën e 140 milionë eurove. Të hënën është vendosur gurthemeli për terminalin e ri, i cili, sipas drejtuesve të ANP’së, do të jetë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

Fillimi i këtij projekti, në fakt paraqet fillimin e implementimit të kontratës nga konzorciumi Limak de Lyon, pas koncesionimit të ANP-së për një periudhë prej 20 vjetësh.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ishin zyrtarët më të lartë të shtetit, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, zyrtarë të tjerë të Qeverisë dhe institucioneve të tjera, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, ambasadori i Francës, përfaqësuesi i Vakifbankës, e cila e ka financuar këtë projekt dhe përfaqësues të tjerë të jetës publike.

Presidentja Jahjaga tha se dhënia me koncesion e ANP’së në kuadër të politikës së transformimit të pronës në Kosovë është në funksion të ndërlidhjes së kapitalit, të nxitjes së investimeve të huaja në Kosovë dhe në funksion të ngritjes së cilësisë së punës dhe të shërbimeve. Aeroporti, sipas saj, do të luajë një rol të rëndësishëm në rrjetin e aeroporteve të Evropës dhe do të jetë një urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe botës.

“Aeroporti do të jetë në funksion të të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke ofruar shërbime të mira dhe fqinjësore dhe njëherësh duhet të shërbejë si referencë për investitorët dhe menaxhuesit, si sprovë e një investimi dhe një angazhimi të organizimit këtu”, tha Jahjaga.

Për kryeministrin Thaçi, ky projekt është një shembull i mirë i një partneriteti të shëndoshë dhe të qëndrueshëm mes Qeverisë së Kosovës dhe sektorit privat dhe tregues i qartë për investitorët e jashtëm. “Zbatimi i suksesshëm i partneritetit publiko-privat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dëshmon se Qeveria e Kosovës është duke i zbatuar me sukses objektivat e saj drejt rritjes ekonomike të vendit dhe përmirësimit të jetesës së qytetarëve të saj”, tha kryeministri Thaçi.

Kreu i ekzekutivit të vendit e ka quajtur këtë projekt të munguar, projekt të Kosovës së re dhe të zhvillimit ekonomik në shtetin modern të Kosovës.
Zëvendëspresidenti i Limak de Lyon, Sezai Bacaksiz, tha se ky projekt do të ndikojë në rritjen e kapacitetit dhe numrit të udhëtarëve. Ai tha se pas terminalit do të vazhdojnë edhe me investime të tjera.

“Investimi prej përafërsisht 140 milionë eurosh përbëhet nga aktivitetet tona të ndërtimit që do të realizohen bashkë me ndërtesën e re të terminalit dhe përfshin parkingun për automjete, kullën dhe rregullimin dhe zgjerimin e taksive”, ka thënë Bacaksiz.

Terminali i ri do të përfshijë një sipërfaqe prej 42 mijë metrash katrorë dhe do të ofrojë një shërbim më cilësor, ndërkaq është financuar nga banka turke Vakifbank, përfaqësuesi i së cilës ka thënë se janë akorduar 85 milionë euro për fillimin e ndërtimit të këtij projekti që e vënë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës në mesin e aeroporteve moderne.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›