E Diel, 1 Nëntor 2026

UNESCO: Më shumë kujdes për menaxhimin e Beratit

"Më shumë kujdes për menaxhimin e trashëgimisë kulturore të Beratit". Ky ka qenë mesazhi i përfaqësuesit të UNESCO-s, Z.Stephan Dompke, gjatë një konference të organizuar dje në këtë qytet si një bashkëpunim i Bashkisë së Beratit me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare. "Menaxhimi i Trashëgimisë Historike e Kulturore të Beratit si pasuri Botërore e Njerëzimit", ka synuar sensibilizimin e opinionit publik dhe aktorët e përfshirë në ruajtjen dhe menaxhimin e qendrës historike të Beratit. Në ambientet e galerisë së arteve "Eduart Lear" janë takuar përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, të Ministrisë së Integrimit, përfaqësues të UNESCO-s, nga organizata ndërkombëtare, investitorë, specialistë të fushës etj. Aktiviteti ka nisur me transmetimin e një dokumentari mbi vlerat e qytetit, pjesë e UNESCO-s, si dhe ruajtja e trashëgimia e këtyre vlerave deri në ditët tona. Në konferencë janë mbajtur kumtesa nga profesorë si Emin Riza, Genc Samimi, drejtor institucionesh, përfaqësues të UNESCO-s. Në referatin e tij, "Berati qyteti i kulturës, mundësitë dhe sfidat", z. Dompke si përfaqësues i UNESCO-s ka tërhequr vëmendjen në lidhje me detyrat që duhet të kenë institucionet përkatëse në ruajtjen e këtyre vlerave. Ai është ndalur veçanërisht në kujdesin që duhet të tregohet në hartimin e planit rregullues, i cili sipas tij duhet të jetë një plan që të përshtatet me anën arkitektonike, historike dhe kulturore të qytetit. Ndërsa profesor Emin Riza është ndalur në vlerat historike të këtij qyteti. Sipas tij, thelbi i restaurimit është mirëmbajtja dhe trashëgimimi i tyre. Restauruesi Genc Samimi në referimin e tij ka bërë një paraqitje të restaurimeve të të gjitha objekteve, si dhe ndryshimet pas restaurimeve të lagjeve muzeale. Samimi ka theksuar se "ne nuk bëjmë restaurim vetëm që këto vlera të thithin sa më shumë turistë, por sepse ne tregojmë ekzistencën tonë, se jemi një popull me vlera dhe që dimë t‘i ruajmë këto vlera. Duhet të vëmë theksin në përshtatjen e tyre me kërkesat e jetesës në kushtet që jetojmë". Samimi përmendi restaurimin e Xhamisë së Beqarëve, të disa prej shtëpive qindravjeçare sot, muzeun etnografik, ndërhyrjet në lagjet muzeale etj. Ndërsa Eugen Kallfa, i cili është drejtor i programimit dhe zhvillimit, ka theksuar se një nga pikat më të forta për planin rregullues të qytetit është unaza e qytetit, si dhe stabilizimi i lumit Osum, disiplinimi i të cilit i jep një "frymëmarrje" qytetit.

Mi.Ha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›