Porosia e anketave politike
Para disa ditëve,Instituti Ndërkombëtar Republikan , “i besueshmi” instituti amerikan, zhvilloi një anketë me qytetarët e Maqedonisë dhe rezultati i tyre menjëherë si rrufe i vërshoi mjetet e komunikimit atje duke shpallur rezultatet e saj.
Sipas kësaj ankete, rejting më të lartë vazhdojnë të kenë partitë politike që përbëjnë qeverinë e tashme dhe liderët e tyre politikë. Duke u bazuar në rezultatet e kësaj ankete po konkludohet se partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Gruevski te maqedonët dhe partia BDI e Ali Ahmetit te shqiptarët, sikur zgjedhjet të mbaheshin tash, do të fitonin shumicën e vendeve në Parlament.
Kjo informatë lëshohet në qarkullim dhe tash qytetarët në Maqedoni e komentojnë dhe e interpretojnë atë në mënyra të ndryshme.
Përderisa disa janë të kënaqur me rezultatet e anketës,disa të tjerë janë të dëshpëruar dhe vazhdimisht pyesin se si mund të ndodhë kjo kur për çdo ditë në mjetet e komunikimit atje flitet për një qeverisje të dobët, e cila ka dështuar në shumë fusha, si në planin e politikës së jashtme, ashtu edhe në zhvillimet e brendshme politike, si në rrafshin demokratik ashtu edhe në atë ndëretnik.