E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina rikthen Mazrekun

Nga Express më 22 janar 2011 në ora 11:30

Basketbollisti i njohur kosovar, Blerim Mazreku është rikthyer në Kosovë dhe në stinorin pranveror do t’i mbrojë ngjyrat e kampionit aktual të Kosovës, Sigal Prishtinës.
Mazreku, i cili së fundmi është aktivizuar në Tunizi, ndihet i kënaqur që sërish është rikthyer në klubin më të suksesshëm kosovar.

Lojtari i pozitës qendër premton se do ta japë maksimumin nga vetja e tij, në mënyrë që Sigal Prishtina edhe në këtë edicion ta fitojë titullin e kampionit, por edhe Kupën e Kosovës.

“Kam arritur marrëveshje me drejtuesit e Prishtinës, të cilët i falënderoj që m’i hapën dyert e klubit të tyre. Të paktën deri në fund të këtij kampionati do të jem basketbollist i Prishtinës. Ndërsa, nëse nuk transferohem jashtë Kosovës pas përfundimit të kampionatit, atëherë do të vazhdoj sërish me Prishtinën”, deklaroi Mazreku për Express.
Ai u shpreh i lumtur që iu rikthyer Sigal Prishtinës, për të cilën thotë se është skuadra më profesionale në vend.

“Prishtina është klub i madh. Është klubi më i organizuari në Kosovë, në të cilin punohet shumë profesionalisht. Ky ekip ka një trajner të shkëlqyeshëm, siç është Arben Krasniqi, andaj ndihem mirë kur kujtoj se do të jem pjesë e kësaj skuadre”, theksoi reprezentuesi kosovar.

Rikthimi i Mazrekut në klubin kampion do të ndikojë që mos të vërehet edhe aq mungesa e Edmond Azemit, i cili është huazuar para pak ditëve në Liri të Maqedonisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›