E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porti i Durrësit, forum ndërkombëtar për rritjen e investimeve

Rruga e re Durrës- Kukës ka rritur edhe kapacitetet e volumeve të punës në Portin e Durrësit. Kjo u konstatua dje në Forumin Ndërkombëtar “Industria portuale dhe infrastruktura nga këndvështrimi strategjik i Korridorit 8”, që u organizua dje paradite në Durrës, me nismën e Autoritetit portual dhe Alb-Konfidustrisë shqiptare. Në Forum morën pjesë përfaqësues të biznesit vendas dhe të huaj, politikanë, drejtues të organizmave vendase dhe të huaja financiare, drejtues të porteve të ndryshme të vendit, etj. Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, duke përshëndetur Forumin tha se tashmë “Korridori 8” në vendin tonë ka një infrastrukturë të konsoliduar rrugore dhe investimet e fundit të qeverisë synojnë të krijojnë një sistem infrastrukturor, në përputhje me kapacitetet në rritje të transporteve". Ai tha se, investimet e mëdha që po realizohen në portin e Durrësit, veçanërisht në Terminalin e udhëtarëve, si dhe financimet që do të fillojnë së shpejti për modernizimin e shesheve dhe kalatave, si dhe për thellimin e pjesës nënujore të basenit portual, janë tregues i krijimit të një rrjeti infrastrukturor, që lidh transportet e vendit tonë, Kosovës, Maqedonisë dhe më gjerë. Portet e Vlorës dhe të Durrësit janë vendosur në qendër të qyteteve, dhe mes tyre tashmë ka një ekuilibër mjaft të mirë zhvillimi të përbashkët, tha më tej ministri Olldashi, duke vlerësuar edhe investimet prej 15.2 milionë euro dhe 1.3 milion euro përkatësisht në Vlorë, si dhe në Sarandë dhe Shëngjin së bashku. Shefi i Zyrës së BERZH në vendin tonë, Fabio Serri, e quajti konkurrencën me portet e tjera të rajonit një pikë ku duhet ndalur për vlerësimet e ardhshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›