Porti i Durrësit, mbi 196 mijë njësi kontejnerike u përpunuan gjatë 2024-ës

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Një ndër format më të sigurta dhe më të kërkuara sot në transportin detar është transporti i mallrave me kontejnerë.
Përgjatë vitit që lamë pas, në portin aktual të Durrësit u përpunuan në total 196 507 njësi kontejnerike, 7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023-shit.
Kjo rritje e volumeve të përpunimit në kryeqendrën portuale të vendit konfirmon edhe njëherë vizionin strategjik të qeverisë shqiptare për portin e ri tregtar të Durrësit në Porto-Romano, i cili do të rrisë ndjeshëm hapësirat dhe kapacitetet e përpunimit të mallrave, duke sjellë një ndryshim thelbësor në modelin e logjistikës dhe tregtisë detare, por edhe në gravitetin që infrastruktura portuale ka në ekonominë kombëtare dhe atë rajonale.
Porti i Durrësit është më i madhi në vend. Anijet tregtare që transportojnë mallra nga/drejt Durrësit kanë lundruar deri tani nga dhe drejt 67 porteve në 24 vende të botës.

/j.p/r.e/