E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porti i Durresit terminali i ri me standarde evropiane

I konceptuar për të pritur një fluks prej 1.5 milionë pasagjerësh në vit, me  standartet  më të larta europiane,  terminali i ri në portin e Durrësit ofron në pikun e fluksit të lëvizjeve, për të gjithë udhëtarët që hyjnë dhe dalin nëpërmjet portit detar  kushte mjaft komode. Holli i ri i pritjes dhe përcjelljes së pasagjereve, me sipërfaqe të bollshme, shërbime bar kafe, karroca për bagazhet, shërbimin e informacioneve mbi lundrimet  në kohë reale,  bileta online, vet chek- in, skanerat, pikat e kontrollit të policisë kufitare, ato doganor, peshoret, e deri tek stolat si dhe dy porta për daljen në kalatën e ankorimit të trageteve  janë disa nga lehtesitë dhe komoditetet  që  ofron  ky terminal  për pasagjerët të cilët  zgjedhin portin e Durrësit  për të hyrë apo dalë nga vendi ynë. Në terminalin e ri të trageteve mund të përpunohen njëherësh 2.000 udhëtarë, ndërsa në  sheshet e tij janë instaluar 46 sportele të kontrollit kufitar gjithsej. Ndonëse fluksi i pasagjereve që hyjnë dalin shkon deri në 5000 persona në ditë, shtetas shqiptare e te huaj shprehen se ky terminal ofron shërbimet më të shpejta më të mira më të qytetëruara e dinjitoze, duke i përfunduar procedurat në kohe rekord pa u regjistruar radhe të gjata.
Terminali i ri i Trageteve në portin e Durrësit i ndërtuar  me një investim prej 21.8 milion euro, financuar nga Qeveria shqiptare, kap një sipërfaqe rreth 90.000 m 2. Godina e terminalit, objekti më i madh në këtë shesh, i ndërtuar me konstruksione metalike dhe xhama, ka një sipërfaqe rreth 5.400 m 2, dhe është ngritur  konform normave dhe standarteve europiane. Mbikalimi i udhëtarëve, që nis pranë sheshit të Stacionit hekurudhor të qytetit dhe përfundon brenda Terminalit ka një gjatësi rreth 226 m dhe gjerësi 4 metra. Për shumë vite, udhëtarët që vinin nga Italia kalonin me mjaft vështirësi në portin e Durrësit për shkak të një terminali të vogël dhe jashtë çdo standardi apo kushti teknik. Ndërsa sot Investimi më i ri strategjik i  qeverisë shqiptare, përmbush nevojat në rritje  të qarkullimit të lirë të njerëzve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›