E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkaterrimi i Rruges se Kombit shkak per aksidente

Ndërprerja e trafikndarëseve në rrugën e kombit po e kthen atë në rrugën e vdekjes. Gjate një vëzhgimi në këtë autostrade, kamera e “ABC News” numëroi 32 ndërprerje të trafikndarëses nga Kukësi deri në Morinë. Disa prej tyre kanë qenë që  nga fillimi i ndërtimit të autostradës, ndërsa në disa pjesë të tjera trafikndarësja është çarë në mënyrë të qëllimshme nga banorë të zonës dhe biznese private që kanë filluar të lulëzojnë përgjatë gjithë autostradës. Megjithë apelet e herëpasherëshme në media dhe kronikat sensibilizuese për rrezikun e madh që paraqet dëmtimi i kësaj autostrade asnjë nga institucuionet përgjegjëse siç është Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk ka lëvizur për të ndryshuar diçka.
Tre vite pas përurimit të tij, segmenti i rrugës së kombit Kukës-Morin nuk ka mbikalime  apo nënkalime, gjë që i ka dhënë liri njerëzve të papërgjegjshëm  të mësyjnë trafikndareset duke i çarë ato, sikurse shihet dhe në pamjet e ofruara.
Po ashtu nuk u arrit përfundimi i dublimit të urave në këtë segment të autostradës si dhe mungon në pjesën më të madhe sinjalistika e sigurisë rrugore. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, që është dhe autoriteti përgjegjës deri në dhënien me koncension të saj, nuk ka vënë dorë edhe pas dëmtimeve të trafikndarëse apo sinjalistikës. Ndërsa për mbikalimet dhe nënkalimet, drejtuesit e saj ajne shprehur se ky segment nuk ka përfunduar dhe me përfundimin e dublimit të urave do të përfundonte si sinjalistika e nevojshme edhe trafikndarësit, madje edhe rrethimi i plotë i autostradës siç kërkohet në rrugë të parametrave të tilla. Por vonesat në realizmin e projekteve të tilla,po bëhen shkak për humbje jete njerëzish veçanërishtgjatë sezonit turistik, kur fluksi i lëvizjeve ditore i kalon më shumë se 30 mijë automjete në hyrje dhe dalje nga Shqipëria.
Nisur nga aksidentet e ditëve të fundit,policia e qarkullimit rrugor, ka zbarkuar me task-forcën e saj në këtë segment problematik duke ngritur tre postoblloqe nga Morini në Kukës. Sipas marrëveshjes së përbashkët Shqipëri-Kosovë, patrullimet janë të përbashkëta dhe gjatë ditës së dielë është monitoruar përgjatë gjithë ditës lëvizja e mjeteve. Sipas tyre ka patur mjaft shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor kryesisht shpejtësi tej normave të lejuara nga shtetasit kosovarë por në bazë të marrëveshjes, për shkelje të tilla, nuk jepen ndëshkime nga policia shqiptare për shtetasit kosovarë.  Në raste të shkeljeve shënohen të dhënat e drejtuesit të mjetit dhe automjetit e më pas u përcillet autoriteteve të Policisë në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›