E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porti i Vlorës, hapet qesja për projektin e rikonstruksionit

• VLORE – Konkretizohet fillimi i zbatimit të projektit për rikonstruksionin e portit të qytetit të Vlorës.Dje në Drejtorinë e Portit mbërritën përfaqësues të “Cooperazzione Italiana”, të cilët janë njohur me projektin fillestar të portit. Takimi, i cili zgjati më shumë se 1 orë ka bërë që italianët të njihen më nga afër me detajet e projektit si dhe vendin ku do të ndërtohet porti. Sipas drejtorit të Portit, Kreshnik Alimerko, vizita e ekipit italian është një dëshmi konkrete për nisjen e realizimit të këtij projekti, i cili për gati 10 vjet ka qëndruar në letër, ndonëse herë pas here ndizeshin shpresat për të. Pritet që sot ekipi italian të zhvillojë një takim në Ministrinë e Transporteve dhe Punëve Publike në lidhje me nisjen e projektit. Sipas Alimerkos, së shpejti porti i Vlorës do të jetë konkurrues për sa i përket standardeve dhe kapaciteteve që do të ketë. Në takim kanë qenë pjesëmarrës ekspertë të ndryshëm që njohin pozitën gjeografike, së bashku me klimën, faktorë të cilët do të ndikojnë që projekti të jetë sa më i përshtatshëm për qytetin e Vlorës. Pasi është siguruar si fillim gjysma e fondeve prej “Cooperazzione Italiana”, pas një marrëveshje të arritur disa muaj më parë mes saj dhe qeverisë shqiptare, është arritur që të sigurohen fondet e nevojshme për të zbatuar projektin. Megjithëse është pritur dhe përfolur për shumë vjet me radhë, i vetmi rikonstruksion që është kryer përgjatë këtyre viteve është ringritja e pjesëve të betonit të rëna si pasojë e amortizimit të portit si dhe të kalimit të mjeteve të rënda në të. Projekti i hartuar 10 vjet më parë nga firma angleze “GIBI” do të pësojë ndryshime të theksuara, pasi sipas drejtorit duke kaluar dhe një kohë kaq e gjatë shihet e arsyeshme që dhe projekti të ecë me hapin e kohës. Për zbatimin e 6 fazave duhet një shumë prej gati 30 milionë eurosh. Tashmë një pjesë e tij është siguruar dhe pritet vetëm zbatimi i projektit në tri fazat fillestare, nga 6 që janë gjithsej. Një pjesë e rëndësishme që hyn te funksionimi sa më efiçent i portit është dhe krijimi i lidhjes së rrugës Transballkanike me terminalin, në mënyrë që në hyrje të portit mos të krijohen bllokime rruge apo probleme të tjera për sa i përket qarkullimit.             q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›