Bllokohet skafi me 500 kg drogë
• Një skaf i ngarkuar me 500 kg kanabis është bllokuar mbrëmë në Gjirin e Manastirit në Sarandë.SARANDE Skafistët, sapo kishin ndezur motorin e vetëm të mjetit 4 metra të gjatë për t'u nisur drejt Korfuzit të Greqisë, kur janë pikasur nga policia. Një aksion i përbashkët mes Policisë Kufitare të Vlorës dhe asaj të Sarandës përfundoi në zbulimin e mjetit të mbushur me drogë. Sipas burimeve zyrtare bëhet e ditur se droga u bllokua rreth orës 21:00, duke shënuar dhe finalizimin e operacionit të nisur prej disa ditësh. Shefi i Komisariatit të Kufirit të Sarandës, Ilir Gjoçi deklaroi dje, se në sajë të informacioneve të grumbulluara në rrugë operative, në vendin e quajtur Gjiri i Manastirit, rreth 10 km larg Sarandës e vetëm pak kilometra larg Ksamilit, është zbuluar skafi me drogë. Brenda tij u gjet një sasi e madhe lënde narkotike, e cila nga të dhënat paraprake, mendohet të jetë, "cannabis sativa", e presuar dhe që peshon rreth 500 kg. Droga ishte e ndarë në çanta të mëdha. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se skafistët, të cilët dyshohen se kanë qenë dy, sapo kanë pikasur policinë që afrohej, duke përfituar edhe nga errësira e terreni i vështirë shkëmbor janë larguar në drejtim të paditur. Ata kanë braktisur mjetin në ujë, duke u munduar të fshihen në mënyrë që të mos ndalohen nga policia. Me urgjencë janë kërkuar forca shtesë, të cilat kanë nisur kërkimet mbi autorët. Shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare të Sarandës, ndërsa ndodhej në vendngjarje sqaroi për "Panorama", se skafi ishte i pajisur me një motor, prej 250 kuaj fuqi. Ky fakt i ka bërë të ditur policisë se destinacioni ka qenë ishulli i Korfuzit, pasi me një motor të vetëm mjeti e ka pasur të vështirë lundrimin me ngarkesë deri në brigjet e Italisë. Në Sarandë ka mbërritur dhe drejtori i Policisë Kufitare të Vlorës, Myzafer Elezi, sipas të cilit pohohet se kishte dijeni për këtë trafik. Pritet që pas hetimeve të mëvonshme të zbulohen dhe emrat e autorëve të trafikut të drogës si dhe vendi i origjinës ku u sigurua sasia e madhe e saj. Dyshohet se fshatrat e thella të Sarandës e Vlorës janë dhe pikat e furnizimit për 500 kg kanabis, lëvizja e së cilës drejt jugut është pikasur nga policia për të arritur në aksionin e djeshëm. Aksioni i fundit antidrogë u krye më 26 tetor të vitit të shkuar, kur një sasi prej 350 kg hashash u bllokua në "Kanalin e Çukës". sh.d/q.b