Të papunët në Greqi, 5.3% janë shqiptarë
Numri i të papunëve të regjistruar në listat e Entit të Fuqisë Punëtore (OAED) të Greqisë gjatë muajit gusht arriti në 693 329. Nga këta, 93.42% janë shtetas grekë, 5.35% emigrantë dhe 1.23% janë shtetas nga vende të BE-së. 282 935 (40.81%) janë meshkuj dhe 410 394 (59.19%) janë femra. Numri i personave që subvencionohen nga shteti arrin në 212 297 dhe paraqet një rritje prej 6 763 personash në raport me një muaj më parë. Të papunët janë i vetmi “mall” që shtohet, qofshin ata vendas apo imigrantë, kur buxheti familjar zvogëlohet, konsumi bie dhe tregu përthahet nga mungesa e parasë. “Gjendja është e vështirë. Pa punë jemi. Kam rreth një viti e gjysmë pa punë. Kam dy fëmijë në shkollë. Nuk mund të paguajmë dritën, ujin, qiranë” i thotë DW-së Ilia Memo, pak para se të marrë udhëtimin për në vendlindje, me autobusin e linjës Athinë-Korçë, ku shpreson të “harrojë” për një farë kohe problemet e mbijetesës. “Si përqindje shifrat na kthejnë në vitet ‘50, por me të dhënat reale na kthejnë në vitin 1961, ku sipas statistikave të kohës kishim 864 000 të papunë. Por atëherë zgjidhja ishte emigrimi drejt vendeve të Europës veriore si Gjermania, me të ashtuquajturit "gastarbeiter”, i thotë DW-së Savas Robolis, drejtori i institutit të Punës së Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë. Robolis nuk ngurroi të publikojë edhe kësaj radhe shifra më ogurzeza për fundvitin, por edhe vitin e ardhshëm, kur edhe vetë qeveritarët pranojnë se “dimri që vjen do të jetë skëterrë” përsa i përket papunësisë. Qeveria, që fajësohet së bashku me trojkën për recesionin e ekonomisë, kërkon të zbusë “dimrin e madh të papunësisë” me programe punësimi, si ai për pajtim 5-mujor nëpër bashki për tre vjet të rreth 75 000 të papunëve, shumica e tyre ndërtues.