Olimpiakosido një portier shqiptar, Arjan Beqajn
Klubi më i famshëm helen, Olimpiakos, kërkon portierin e kombëtares shqiptare Arjan Beqaj. Ky lajm i bujshëm bëhet i ditur nga gazeta sportive më e njohur në Qipro, "Sport Day". Sipas kësaj të fundit, duke iu referuar burimeve të sigurta që vijnë nga Greqia, mësohet se portieri aktual i Anorthosisit është objektivi kryesor i Olimpiakosit të Pireut, për merkaton e dimrit. "Kampionët në fuqi të Greqisë kanë nisur më parë tratativa edhe me portierë të tjerë, teksa shënjestra kryesore ishte ai i kombëtares turke, Vollkan Demirel. Por gjithsesi, bisedimet me turkun nuk kanë pasur progres dhe Olimpiakosi duket se ka hequr dorë. Në ditët në vijim, pritet që klubi i drejtuar nga manjati Sokratis Kokalis, të bëjë kërkesën zyrtare te drejtuesit e Anorthosisit për të marrë shërbimet e Arjan Beqajt,"- shkruante "Sport Day". Më tej, bëhej e ditur se gjithçka do të varet nga shuma që do të ofrojë Olimpiakosi për portierin 33-vjeçar, pasi siç dihet, ai ka edhe dy vite kontratë me Anorthosisin. Natyrisht, klubi helen është menduar mirë dhe me siguri do t'i bindi qipriotët, ashtu siç ka bërë edhe me transferta më delikate. Ky interesim për Beqajn nga klubi me më shumë tituj në Greqi, vjen pas prezantimit të shkëlqyer që kosovari bëri në ndeshjet e grupeve të Ligës së Kampioneve. Madje, si për ironi, Beqaj ishte heroi i Anorthosisit në ndeshjen paraeliminatore për Ligën e Kampioneve ndaj Olimpiakosit. Ekipi grek u eliminua falë pritjeve të Beqajt në sfidën e luajtur në Athinë. Ndërkohë, më parë vetë portieri ka folur për të ardhmen, teksa është shprehur se ka dëshirë ta mbyllë karrierën me Anorthosis, por nuk do t'i thoshte "jo" nëse e kërkonte një ekip i njohor. Portieri kuqezi ka luajtur një pjesë të mirë të karrierës me OFI-n dhe Ionikosin në kampionatin grek. E veçanta është se ai është futur në historinë e futbollit në Greqi, si i vetmi portier që ka shënuar. Nëse realizohet ky kalim, Beqaj bëhet kështu portieri i dytë shqiptar që do të luajë me Olimpiakosin. Në vitin 1997, ka qenë Foto Strakosha, ai i cili ka mbrojtur portën e ekipit kuqebardh, që ka më shumë tituj në Greqi.